ROMË – Qeveria italiane synon rikthimin e energjisë bërthamore

ROMË, 23 janar /ATSH-DPA/- Qeveria e kryeministres italiane, Giorgia Meloni po planifikon kthimin e energjisë bërthamore duke krijuar një kuadër ligjor deri në fund të vitit 2027, raportuan sot mediet italiane.
“Italia është gati t’i kthehet energjisë bërthamore. Ky është një vendim i rëndësishëm që nuk do të zëvendësojë energjitë e rinovueshme, por përkundrazi do t’i plotësojë ato për të siguruar një përzierje energjie të ekuilibruar dhe të qëndrueshme”, tha ministri i Energjisë Gilberto Pichetto Fratin për të përditshmen italiane “Il Sole 24 Ore”.
“Një draft fillestar për një ligj kornizë pritet të paraqitet në kabinet së shpejti”, tha ai gjatë intervistës.
Italia ndërpreu operacionet e saj të energjisë bërthamore pas katastrofës së Çernobilit, me mbylljen e centraleve të fundit bërthamore pas një referendumi të vitit 1990.
Që nga marrja e detyrës në fund të vitit 2022, qeveria e Melonit ka shpallur vazhdimisht synimin e saj për t’u rikthyer në energjinë bërthamore, veçanërisht duke u fokusuar në reaktorët e vegjël modularë dhe reaktorët e shkrirjes.
Partitë opozitare dhe ambientalistët i kanë kritikuar këto plane. //a.i/