E Shtunë, 31 Tetor 2026

Birçe Hasko, regjisor kundër mafies

Ata janë dy miq, të ndryshëm nga njëri-tjetri, por që përpiqen të jetojnë me nder. Miqësia dhe dashuria e tyre arrin deri në sakrificë kur papritur ata ndodhen përpara dilemës nëse do t‘i japin veshkat e tyre personit enigmatik ndërmjetës, për të fituar para dhe të ndryshojë jeta e tyre... Ata janë dy personazhe të komedisë dramatike "Ah, veshkat e mia", e autorit Babis Cikliropulos. Ajo vjen e përkthyer nga Natasha Kseno me skenografi dhe kostumografi të Beqir Nanajt. Nën regjinë e Birçe Haskos, vepra e cila do të ngjitet në skenën e Akademisë së Arteve duke filluar nga data 28 maj, do vijë nëpërmjet interpretimit të aktorëve Dorian Ramaliu, Devis Muka, Klodian Hoxha dhe Marsela Lena. Vepra e cila flet në mënyrë komike për vetminë, për etjen e kontaktit fizik, për shfrytëzimin e njerëzve të pamundur himnizon miqësinë dhe humanizmin. Buli dhe Miçara janë dy shokë fëmijërie, janë beqarë, kanë karaktere të kundërta. Ndajnë gjithçka me njëri-tjetrin: punën, shtëpinë, ëndrrat, bonjakërinë, papunësinë, ankthin. Miçara frekuenton bordellon e lagjes dhe rri me prostitutat, është më i hapur tek ofertat që i bëhen, por dhe naiv, ndërsa Buli është i turpshëm, nuk del nga shtëpia dhe pret të njohë dashurinë e vërtetë. Të dy plotësojnë, mbështesin dhe kujdesen për njëri-tjetrin. Kanë etje të ndryshojnë jetën e tyre, të udhëtojnë, të bëjnë pushime në Afrikë, nën shoqërinë e vajzave të bukura dhe të qëndrojnë në detin me pemë hurme. Në jetën e tyre hyn një zotëri misterioz dhe tërheqës, i cili ju bën një ofertë joshëse, që i çekuilibron. U premton se do t‘i shpëtojë nga fatkeqësitë dhe do t‘u sigurojë mjaft para për të realizuar ëndrrat e tyre. U propozon që të blejë veshkat e tyre për të bërë transplantin te një i sëmurë kundrejt një pagese... Por zoti "veshkaxhi" kthehet shpejt në një kërcënim për jetën dhe shëndetin e tyre. Vepra përmban shumë skena interesante dhe komike, që i japin plot jetë ngjarjes. "Ah, veshkat e mia" ka të bëjë me trafikimin e organeve, me shkëmbimin e organeve njerëzore, me qëllim përfundimtar transplantin e tyre te të sëmurët. Praktika e saj është ilegale pothuajse në të shumtat e shteteve. Ky fenomen është paraqitur sepse kërkesa e organeve për transplantim nga të sëmurit është më e madhe nga oferta, qoftë nga dhënësit e gjallë apo të vdekur. Vihen në dukje në këtë vepër raporti midis mafies dhe personave të shënjestruar prej saj si dhe mënyrat e stërholluara të saj për t‘i çuar njerëzit e varfër në klinikë, me qëllim për të shitur veshkat. Vepra është produksion i qendrës "Art dhe Color". Ajo do të shfaqet në sallën "Black Box" të Akademisë së Arteve nga data 28, deri më 31 maj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›