E Shtunë, 31 Tetor 2026

“RTSH në shërbim të mazhorancës”

Autori i Lajmit: red.
Deputeti Marko Bello, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka ngritur edhe një herë shqetësimin se Radiotelevizioni Publik Shqiptar po kthehet në një instrument në duart e mazhorancës, duke përgatitur emisione speciale për gjithçka nxjerr nga goja kryeministri Berisha dhe turet turistike të kryeparlamentares Jozefina Topalli. “Çuditërisht, reagimi nuk erdhi nga drejtuesit ekzekutivë, por nga kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH, i cili demonstroi se është krejt i paaftë dhe se nuk kupton akoma se është zgjedhur për të respektuar ligjin dhe jo për ta shkelur atë”, - tha Bello. Më tej, ai iu referua monitorimeve që Këshilli Kombëtar i Radiotelevizioneve (KKRT) u bën edicioneve informative në RTSH, duke shprehur njëkohësisht vlerësim për mediat private për korrektësinë e tyre në transmetimet e aktiviteteve të opozitës, si dhe të hapësirës që ato u kushtojnë partive të ndryshme parlamentare. Duke u ndalur tek RTSH, gjithnjë sipas KKRT, për 3 muajt e fundit: maj, qershor dhe korrik, Bello tha se kemi një situatë krejtësisht të njëanshme. “Nëse mazhorancës i shtojmë edhe Parlamentin, ku pjesën më të madhe e zë zonja Topalli, do të kemi një përqindje më të madhe të mazhorancës në edicionet informative të RTSH, ndërsa opozita ka një përqindje shumë të ulët të kohës”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 22/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›