E Diel, 1 Nëntor 2026

RUMANI – Qeveria në prag kolapsi pasi një parti tërhiqet për shkak të masave shtrënguese ekonomike

BUKURESHT, 23 prill /ATSH-DPA/ –  Qeveria pro perëndimore e Rumanisë, e drejtuar nga kryeministri Ilie Bolojan, po përballet me rrezik kolapsi pasi Partia Socialdemokrate (PSD) ka tërhequr mbështetjen nga koalicioni qeverisës mes një përplasjeje mbi masat e kursimit.

”Gjashtë ministra të PSD-së dhe zëvendëskryeministri Marian Neacsu kanë njoftuar dorëheqjen”, bëri të ditur sot partia.

Ministrat po protestonin kundër planeve të kursimit të prezantuara nga Bolojan dhe partia e tij e qendrës së djathtë, PNL.

PSD ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, duke e kushtëzuar qëndrimin e saj në koalicion me largimin e tij nga posti.

Dorëheqjet do të bëhen ligjërisht të vlefshme vetëm pasi të firmosen nga presidenti Nicusor Dan.

Nëse kjo ndodh, qeveria do të përbëhet vetëm nga politikanë të PNL-së, të partisë liberale USR dhe të UDMR-së, që përfaqëson pakicën hungareze.

Bolojan ka deklaruar se synon të vazhdojë qeverisjen në krye të një kabineti minoritar.

Ai planifikon të plotësojë përkohësisht postet vakante ministrore për një maksimum prej 45 ditësh me ministra aktualë, të cilët do të mbajnë nga dy portofole secili.

PSD-ja ka bërë të ditur se po planifikon një mocion mosbesimi ndaj Bolojanit.

Nëse kjo ndodh, edhe partia e fuqishme e opozitës së djathtë ekstreme, AUR, ka deklaruar se do të votojë pro.

Bolojan është në detyrë që nga qershori i vitit 2025.

Objektivi i tij kryesor politik është rivendosja e financave publike, të cilat qeveria e mëparshme e drejtuar nga PSD i kishte lënë në gjendje të rënduar.

Përmes rritjes së taksave dhe heqjes së subvencioneve, Bolojan ka arritur të ulë deficitin buxhetor nga 9,3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2024 në 7,9% në vitin 2025.

Ai planifikon gjithashtu reforma dhe privatizim të pjesshëm të ndërmarrjeve shtetërore me humbje si dhe thjeshtim të administratës publike./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›