RUSI – Moska premton ‘pasoja’ për sulmin ukrainas në Sevastopol

MOSKË, 24 qershor /ATSH-DPA/- Qeveria ruse tha se SHBA-ja është përgjegjëse për sulmin ukrainas në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia që shkaktoi vdekjen e katër personave dhe më shumë se 150 të plagosur – duke premtuar se kjo do të shoqërohej me “pasoja”.
“Ne kemi parë një sulm absolutisht barbar me raketa në Krime”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë së lajmeve TASS.
“Ne e kuptojmë shumë mirë se kush qëndron pas saj, kush i shënjestron këto raketa teknikisht të sofistikuara. Nuk janë ukrainasit ata që përcaktojnë këto lëshime”, shtoi ai.
“Natyrisht, përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së në luftime që rezultuan në vdekjen e civilëve rusë nuk mund të kalojë pa asnjë pasojë”, tha Peskov.
Ministria e Jashtme ruse thirri gjithashtu ambasadoren e SHBA-së në Moskë, Lynne Tracy, pas sulmit të djeshëm në qytetin e Krimesë, Sevastopol.
Kremlini tha se Uashingtoni jo vetëm që furnizon me armë Kievin, por specialistët amerikanë ndihmojnë gjithashtu në mbikëqyrjen e rrugës së fluturimit të raketave të avancuara.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se Ukraina lëshoi pesë raketa ATACMS të furnizuara nga SHBA, katër prej të cilave u kapën.
Të hënën, autoritetet në Sevastopol shpallën gjendjen e jashtëzakonshme.
Gjendja e jashtëzakonshme mund të kufizojë disa të drejta kushtetuese, si liria e lëvizjes, për të garantuar sigurinë publike.//a.i/