E Hënë, 2 Nëntor 2026

RUSI – Putin: Shoh mundësi për sigurinë e Ukrainës, nëse konflikti merr fund

MOSKË, 2 shtator /ATSH-AA/ – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se “në rast se konflikti përfundon, ka mundësi të ndryshme për të garantuar sigurinë e Ukrainës”.

Putin u takua me kryeministrin sllovak, Robert Fico në kryeqytetin e Kinës, Pekin.

Putin foli në pjesën e hapur për media të takimit ndërsa tha se një kohë të gjatë nuk dhanë kundërpërgjigje kundër sulmeve të Ukrainës ndaj infrastrukturës energjetike të Rusisë.

“Ne ishim të duruar me sulmet e saj ndaj objekteve tona energjetike, veçanërisht gjatë dimrit, por më pas filluam të reagonim seriozisht”, tha ai.

Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës në NATO ishte i papranueshëm.

“Mënyra se si Ukraina garanton sigurinë e saj është natyrisht vendim i saj. Por, kjo siguri nuk mund të arrihet në kurriz të sigurisë së vendeve të tjera, veçanërisht Rusisë”, tha Putin.

Presidenti rus shpjegoi se çështja e garancive të sigurisë për Ukrainën u ngrit gjatë takimit të tij me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Alaskë.

“Në rast se konflikti përfundon, ka mundësi të ndryshme për të garantuar sigurinë e Ukrainës. Kjo ishte edhe tema e takimit tonë në Alaskë. Mendoj se ka mundësi për të arritur dakordim këtu”, shtoi ai.

Putin thekson se ata nuk janë kundër anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) dhe se kjo nuk përbën kërcënim për sigurinë e Rusisë siç është anëtarësimi në NATO.

Ai bëri të ditur se Rusia nuk planifikon dhe nuk do të planifikojë kurrë të sulmojë Evropën.

“Dua të theksoj edhe një herë se pretendimet për planet agresive të Rusisë kundër Evropës janë të pakuptimta dhe nuk kanë absolutisht asnjë bazë”, theksoi Putin.

Lidhur me centralin bërthamor të Zaporizhias, i cili është nën kontrollin rus, Putin tha se “ne mund të bashkëpunojmë me partnerët tanë amerikanë në centralin bërthamor të Zaporizhias. Ne i kemi diskutuar këto çështje me ta në mënyrë indirekte. Ndërkohë, e njëjta gjë vlen edhe për palën ukrainase”./  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›