Ra ky turp dhe shfaqen fytyrat
Ka dy anë të çdo medaljeje dhe nën këtë logo u zhvillua debati mbi Meron dhe Mediat. E ndërsa në anën tjetër të rrahjes së Meros ishte shteti me biznesin, shumica e analistëve vendosën të vendosnin po Meron. Në këtë mënyrë i bënë një shërbim të madh jo vetëm keqbërësit, por shtetit dhe politikës në përgjithësi, që e do median pikërisht ku ajo është tani. Nëse themi sot se për shkak të mungesës së ligjit mbi median, problemet në shoqërinë shqiptare zgjidhen me vetëgjyqësi, media, me këtë debat, bëri të njëjtën gjë, një vetëgjyqësi mbi të njëjtin person që kishte pësuar dhunën fizike. Mesazhi që i dha vetes media ishte i qartë: mos e teprojmë, sepse e meritojmë të dhunohemi. Ky është një mesazh i keq dhe për shqiptarët, që e dhunojnë shumë njëri- tjetrin sot, qoftë dhe për një fjalë goje apo për një rrip toke. Më kot nxitojmë të gjithë të habitemi e të denoncojmë raste të tilla pambarim, sepse sot, media shqiptare ka zbuluar qartazi se është një fryt i kësaj shoqërie të zymtë, të egër dhe hipokrite. Debati që denigroi shëmtuar në dilemën "të rrihej a mos rrihej Mero" ka shqetësuar Perëndimin, për të cilin media jo vetëm është e paprekshme, por dhe promotore e zhvillimeve në vend. Kjo është arsyeja që për herë të parë shohim ambasadorin amerikan, të tronditur nga paçavurja që u gatua në një studio televizive, u detyrua të përmendë emrin e një botuesi dhe t‘i tregonte shqiptarëve dhe opinionit mediatik shqiptar në radhë të parë se në një vend të NATO-s nuk sillen kështu. Jo vetëm gazetarët nuk rrihen, por gazetarët nuk mbajnë këtë qëndrim ndaj dhunës e sidomos kur ajo ushtrohet mbi vetë ata. Ky debat nxori në shesh disa të palara që, në fakt, sheshit kanë qenë sot e gjithë ditën. Së pari tregoi se media sot është e papjekur, e përçarë dhe klanore. Së dyti, nën petkun e anës tjetër të medaljes, ku në fakt duhet të rrinte agresori, mik i Berishës, u justifikua një larje hesapesh dhe qeshje nën buzë për gjithë ata që me Meron nuk i kanë pasur punët vaj dhe që në një moment të caktuar në histori e kanë pësuar nga pena e tij. Me të drejtë apo jo, s‘kam ndërmend ta diskutoj tani, sepse nuk dua të bëj të njëjtën gafë që sapo është bërë. Mendoj që, nëse media shqiptare është kaq e shqetësuar për mënyrën si ka shkruar dhe shkruan Mero Baze, aty i ka pasur faqet e gazetave dhe tavolinat e studiove për ta bërë këtë debat kohë më parë. Ashtu sikur aty do t‘i ketë përsëri dhe le ta bëjë. Por të gjesh një moment të tillë për të treguar dhe nxjerrë në pah inatet dhe qejfmbetjet me një gazetar që është goditur e ka rënë pa ndjenja, duke pirë kafe pas emisionit, kjo nuk ka vend ku të rrijë. Është burracakëri e veshur me atë profesionalizmin alla shqiptar që, në fakt, është veçse konformizëm. Gazetarët shqiptarë, ashtu si në zgjedhjet që sapo kaluam, jo vetëm s‘e "prishën" gojën deri aty ku duhej me qeverinë, por dhe Meros ama ia treguan vendin. Bravo u qoftë, jeta vazhdon tani normalisht deri në rrahjen tjetër. Dhe duke folur për dhunën fizike ndaj një gazetari, m‘u në mes të një studioje me burra të "rëndë" mediatikë, dhunohet verbalisht një gazetare femër, drejtorja e "Gazetës Shqiptare". Kam frikë të them tani hajde hapim një debat për këtë temë, se mund të dalin e të më thonë se edhe Anila Basha e meritonte të fyhej. Kaq poshtë kanë rënë të gjithë. Dhe nëse ekziston një dëshirë në median shqiptare për t‘u bërë fare pak profesionale, le të fillojë kush mundet me një investigim rreth bizneseve të tipit "Taçi" dhe le ta bëjnë ndryshe nga Mero, pa e shkelur "vijën e kuqe". Por dyshoj se e ka kush guximin ta bëjë, ashtu sikur çdo aferë korruptive e qeverisë dhe familjes Berisha, jo vetëm ato që ka denoncuar Mero, kanë mbetur të pazbardhura nga media shqiptare. Në mungesë të plotë të bërjes së detyrës së saj, vjen qibarizmi i madh për Meron, që e ka tepruar dhe në fund konkluzioni se po e teprove duhet ta pësosh. Madje në debatin ku duhej folur sa dhe si duhej dënuar ai që godet gazetarin, u fol sa dhe si duhet ta pësojë gazetari.
Në fakt, në Shqipëri, ka kohë që është prishur radha e gjërave dhe prioriteti ka humbur kuptimin. Në fushatën që sapo lamë pas, gazetarët kishin më shumë "problem" Edi Ramën dhe na e nxorën dhe më të rrezikshëm se Berisha, megjithëse provat e rrezikshmërisë së lartë vetëm Berisha i ka dhënë dhe vazhdon t‘i japë. E kam përmendur dhe diku tjetër, që të ankohesh nga mesazhet e Ramës dhe t‘i barabitesh njësoj me mesazhin që të ka dhënë Berisha kur të ka djegur zyrën apo sjellë fadromën, kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Ashtu edhe tani, të shikosh gazetarë që e kanë pësuar nga druri, burgu dhe kërbaçi i Berishës, kur fshiheshin të veshura si gra rrugëve të Tiranës, kur ndiqeshin nga makinat e SHIK-ut rrugëve të Vlorës, kur i sheh të gjithë këta të aprovojnë verbalisht rrahjen e Bazes, kjo është totalisht një çmenduri. Dhe hipokrizia më e madhe është kur e gjitha kjo vishet me formulën e mesit të artë, të mbajtjes së balancës dhe të pasqyrimit të të gjitha anëve të një lajmi. Ka vetëm dy anë ky lajmi me Meron: Fjala e lirë e dhunuar dhe shteti i korruptuar që dhunon dhe bën sehir. Kushdo që përpiqet të gjejë anë të tjera, e bën sepse nuk është i lirë dhe në këtë mënyrë i ka bërë një shërbim të keq gazetarisë dhe lirisë.