Vlera latino-amerikane e fjalës
1.
Butch Cassidy dhe Sundance Kid ishin dy plaçkitës të njohur amerikanë që bënë namin në kohën e vet duke vjedhur, e pas saj si personazhe të filmit hollivudian që mori disa Oskarë.
U detyruan të ikin nga SHBA, sepse agjencia e njohur Pinkerton u kishte zënë hapin dhe shkuan për në Amerikë Latine. Së pari në Argjentinë, ku me paratë e vjedhura nga bankat blenë një fermë të madhe gjedhesh dhe e mbajtën për një kohë. E pastaj në Bolivi, ku iu kthyen zanatit të vjetër, duke vjedhur paratë që kompanitë e mëdha minerale i dërgonin për rroga. U vranë në një fshat të Bolivisë, të harruar pak a shumë prej njeriut e prej Zotit.
Banorët e fshatit San Vicente, në provincën Potosi, vendosën të dalin nga harresa, të Zotit e njerëzve, duke shfrytëzuar famën hollivudiane dhe duke kremtuar më 8 dhjetor të këtij viti, e më pastaj tradicionalisht vdekjen e këtyre dy personazheve, me shpresë se ky të shndërrohet në ritual që do të tërheqë turistët.
Ideja do të mbetej njëra prej shumë banaliteteve që e kanë kapluar atë dhe shumë fshatra e qytete të tjera të botës, me tërë fashinimin me mitin modern të plaçkitësve, mafiozëve e hajdutëve, po të mos ishte një fjali, e buruar nga baroku tradicional latino-amerikan dhe besimet e thella indiane të Bolivisë dhe e shqiptuar nga organizatori i tërë këtij manifestimi, para varrezave të pashënuara të dy amerikanëve me kryqin e lidhur me zinxhirë. "Besohej se dy plaçkitësit mund të iknin, prandaj i kemi vënë nën pranga vorret e tyre!".
2.
Është e diel dhe jam i ulur në një kafe mbushur antikitete në La Paz, Bolivi, pas 35 vjetësh. Në rrugën Linares, njërën prej të rrallave që ka mbetur me sharmin kolonial, mbyllem me gazetat e së dielës, jashtë zallahisë që mbretëron rrugëve, një skenë e cila përsëritet për katërqind a më shumë vjet, të fshatarëve indianë aymara dhe quechua që vijnë në qytet për të shitur diçka, blerë diçka tjetër, ofruar shërbimet e veta apo lypur-një lumë theksesh të Andeve që gjejnë rrugën deri te veshi në ajrin e rralluar të katër mijë metrave lartësie mbidetare; një potpuri erërash nga më të rëndat që mbulojnë erëzat e ushqimit të shitur në rrugë; një paletë ngjyrash të veshjeve që bien në kontrast me thatësinë okër të maleve përreth qytetit.
Në shtojcën për kulturë të një gazete opozitare numri i dedikohet poetit Guillermo Bedregal Garcia, i cili vdiq para shumë kohësh, në moshën e tij 20-vjeçare, duke lënë pas vetes tri përmbledhje poezish të botuara post-mortem në periudha konsekutive - një shenjë e intensitetit të kontrastit të kësaj shoqërie që bart me vete varfëri të skajshme materiale dhe begati të skajshme shpirtërore.
Shtojca, siç i ka hije një gazete opozitare të një vendi të urisë materiale e të shpërblyerit kulturor, botohet me vargun:
"Po të shkruaj nga një vend ku është zi,
E nuk është natë".
Një kundërthënie në vete që bart Amerika Latine që prej lindjes së letërsisë së këtij kontinenti: akti i të shkruarit e bën të zezën vetëm sfond për fjalët e bardha.
3.
"Kur hyu, i njohur edhe si Zot, vërejti se Adamit dhe Evës, të përkryer në çdo gjë që shihej me sy, nuk u dilte as edhe një fjalë nga goja e as që emetonin ndonjë zë sado primar të jetë, nuk kishte ç‘të bënte tjetër pos të hidhërohej me veten, sepse nuk ishte kush tjetër në kopshtin e Edenit që ta fajësonte për këtë dëm madhor, ndërsa të gjitha shtazët tjera, prodhim të gjitha ato, si dhe dy qeniet njerëzore, të mrekullibërësit, po e gëzonin zërin vetjak, disa me pallitje e gjëmime, të tjerë me hingëllima, fishkëllima e kakarisje. Me një shpërthim pezmi, të befasueshëm për dikë që mund të zgjidhte çdo gjë me të shpejtë, vrapoi drejt çiftit dhe, së pari njërit, pastaj tjetrit, pa hamendësime, pa hapa të ndërmjetëm, ua futi gjuhën brenda gabzherrit".
Kështu fillon romanin e tij të ri nobelisti Jose Saramago, "Kain", një rishikim jokonvencional i Biblës që tanimë ka tronditur institucionet e kishës në Portugali, njëkohësisht, siç premton nga kapitulli i parë, i botuar në "El Pais", që të riadresojë njërën prej pyetjeve fundamentale të aktit të Krijimit: të përdorimit të begatisë së zërit, të të folurit.
Njëherë i shpërblyer me këtë mundësi, çka bën njeriu me të?
4.
Nëse episodi me dy hajdutët amerikanë i ka shpëtuar banalitetit falë zinxhirëve rreth kryqit, ndërsa e zeza e poetit bolivian ishte transformuar vetëm në një sfond për fjalët e bardha të ardhura nga inspirimi (e fjala inspirim rrjedh nga "inspirare", të thithësh brenda vetes ajrin e Hyut), shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa mund të hyjë në këtë debat të përhershëm rreth vlerës së fjalës me kolumnën e tij javore që e boton gjithandej në botën spanjisht-folëse. Ai përcjell një ekspozitë të artit erotik në muzeun El Prado të Madridit, duke shpallur erotizmin njërën prej fitoreve të mëdha të njerëzimit dhe sheh një trajektore që fillon me "deanimalizimin" (shkëputjen nga shtazarakja) të aktit të dashurisë në veprën artistike më të hershme, pra të shndërrimit të kënaqësisë seksuale në një akt arti. Kjo trajektore, e zhvilluar me shekuj, përfshirë edhe në artin kishtar, përmbyllet në ditët tona me fotografinë nudo të futbollistit David Beckham, të shtrirë në një krah, "një kërcim dialektik në broçkull", thotë Vargas Llosa, duke shtuar se ky "zhvlerësim dhe degradim i erotizmit në ditët tona, paradoksalisht rrjedh nga njëra prej fitoreve më të mëdha të lirisë që ka përjetuar bota, asaj të lirisë seksuale". Argumenti i shkrimtarit peruan është se liritë seksuale kanë bërë që një pjesë e madhe e popullatës të mos ndihet e persekutuar nga paragjykimet dhe abuzimet për shkak të sjelljes së tyre, por këto liri, njëkohësisht, për shprehjen artistike e kanë shndërruar kënaqësinë fizike të dashurisë në një konvencion. "Të bësh dashuri nuk është më art. Është një sport pa rrezik, sikur të vrapuarit në shiritin e palestrës apo ngarja e biçikletës statike", konstaton Vargas Llosa, me notë zhgënjimi personal për efektet e padëshiruara të lirisë.
5.
Presidenti bolivian Evo Morales është duke bërë garë për rizgjedhje. Është ndër personazhet më të jashtëzakonshme në politikën botërore. Është indian, ish-fermer i kokës (bimës prej së cilës bëhet kokaina, por që tradicionalisht përtypet nga popullata lokale), luan futboll në Ligën e dytë të vendit dhe ka sjellë një ndryshim fundamental në vend, duke e u përpjekur, shumë herë me metoda populiste, të vendosë pushtetin e shumicës, të shumicës së varfër quechua e aymara, asaj që qe katërqind vjet përsërit të njëjtën rutinë të ardhjes në qytet, për të blerë a shitur diçka, ofruar shërbimet e veta apo lypur.
Në vendin e shumë gjuhëve, kontrasteve të varfërisë së barkut dhe begatisë së shpirtit, të debateve të përhershme për lirinë dhe të të menduarit për kategoritë tjera universale, nga dikund Evo Morales del prej jokonvencionalitetit të tij në një gjuhë universale, atë të parullës politike. Në një pano reklamuese në të dalë prej kryeqytetit shkruan: "Bolivia po ndryshon, Evo po i përmbush premtimet".
A janë këto tashmë fjalë universale, për çdo fushatë zgjedhore, për çdo vend në botë, në çdo gjuhë, një shprehje e lirisë së popujve që dikur nuk ishin, por edhe një shprehje e lirisë e cila, sikur me rastin e seksit të Vargas Llosa, po e shndërron edhe demokracinë në një vrapim të shiritit të palestrës a ngarje të biçikletës statike?