E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata refuzon 100 mijë euro garanci, mbetet në burg Taçi

Edhe pse ka paraqitur 100 mijë euro garanci, Gjykata e Tiranës ka vendosur të mos e lirojë Rezart Taçin, i cili akuzohet për rrahjen e gazetarit Mero Baze. Ai dhe avokatët e tij janë paraqitur dje në Gjykatën e Rrethit Tiranë për t‘u njohur me masën e sigurisë. Seanca e komunikimit të masës së sigurisë dhe rivlerësimit të saj për Taçin, u zhvillua me një orë e gjysmë vonesë, pasi ora 12.00 ishte planifikuar, kohë kur edhe Rezart Taçi u paraqit pranë gjykatës i shoqëruar nga forcat policore. Ajo u krye me dyer të mbyllura, me vendim të gjyqtares së gatshme, Fahrije Budo. Ndërkohë, jashtë mjediseve të Gjykatës së Tiranës, disa qindra vetë, kryesisht punonjës të kompanive të Taçit, si "Taçi Oil" dhe "ARMO‘, të shqetësuar kanë qëndruar gjatë kohës së seancës disa minutëshe dhe më tej.
Burime nga seanca treguan se prokurori i çështjes, Gjergji Tako, kërkoi që për biznesmenin Taçi të vazhdojë vlefshmëria e urdhrit të prokurorisë dhe masës së sigurisë policore për "arrest me burg". Prokurori Tako deklaroi se ekzistojnë prova për dyshimin e besueshëm se biznesmeni Rezart Taçi së bashku me një punonjës të kompanisë së tij "Taçi Oil", si dhe me një të dytë, njeri i afërt i tij, kanë sulmuar fizikisht, gazetarin Mero Baze. Në këtë pikë, ka qenë fjala e avokatit Maks Haxhia, i cili mbron biznesmenin Rezart Taçi, i pranishëm edhe ai në seancë, por duke lënë të flasë, avokatin e tij. Fillimisht Haxhia ka deklaruar se ajo që ishte më kryesore, duhej të pranohej lirimi nga masa e arrestit në burg i biznesmenit Taçi. Për këtë, Haxhia tha se klienti i tij ishte gati të depozitonte në numrat e llogarive bankare të Gjykatës së Tiranës, shumën 100 mijë euro si garanci pasurore deri në përfundim të çështjes gjyqësore.
Më tej është bërë me dije se gjatë vlerësimit të masës së sigurisë i pandehuri ka përmendur gjeneralitetet e tij, ndërsa nuk ka pranuar që të japë shpjegime përpara gjykatëses Farie Budo. Ndërkohë, avokati i tij, Maks Haxhia, i ka shpjeguar gjykatëses se gazetari Mero Baze kishte rreth një viti e gjysmë që në shkrimet e tij bënte presion psikologjik ndaj biznesmenit. Avokati i kërkoi gjykatës caktimin e një mase sigurie më të butë sesa ajo e paraqitur nga Prokuroria e Tiranës. Avokati ka shpjeguar se vepra për të cilën akuzohet klienti i tij nuk përbën rrezikshmëri shoqërore, si dhe Taçit i dëmtohen bizneset e tij, në rast se qëndron në gjendje arresti. Nga ana tjetër mësohet se prokurori i çështjes, Gjergji Tako, i ka shpjeguar gjykatës sërish ngjarjen, duke i kërkuar asaj vlerësimin e masës së sigurisë "arrest me burg", pasi kushtet e të pandehurit nuk kishin ndryshuar, masë e cila u caktua më pas edhe nga gjykata. Avokati Haxhia tha se ishte gati të ofronte këtë shumë, kundrejt çdo mase tjetër sigurie veç asaj të arrestit me burg, duke nënkuptuar arrestin shtëpiak apo detyrimin për paraqitje periodike në gjykatë ose prokurori dhe dorëzim të pasaportës ndërkombëtare. Ndërkohë, një pjesë e të pranishmëve jashtë Gjykatës së Tiranës, ka shprehur irritim dhe mospajtim me vendimin e dhënë nga gjykata për të lënë në burg pa afat, biznesmenin Taçi.
Një seancë më parë, truproja e biznesmenit Rezart Taçi, Irgen Selfo, i shpjegoi gjykatës se kishte qëlluar mbi gazetarin Mero Baze për shkak se kishte qenë në gjendje të dehur, ndërsa vetë Baze e kishte shtyrë atë, pasi ai i kishte folur. I pandehuri Selfo pretendoi se Taçi në bashkëpunim edhe me Bledar Lilon kishin ndërhyrë për t‘i ndarë dhe më pas qenë larguar. Tri ditë më parë, pas caktimit të masës së sigurisë të dhënë në mungesë, biznesmeni Taçi është vetëdorëzuar në polici, duke deklaruar se ishte i gatshëm të respektonte çdo moment, çdo instancë ligjore dhe në rastin konkret, vendimin e Gjykatës së Rrethit Tiranë, por nuk mund të mos shprehte bindjen e tij të plotë se e gjithë kjo situatë ishte rezultat i një strategjie dhe lufte të filluar shumë kohë më parë, ndaj tij dhe bizneseve që ai zotëron. Përpara se të vetëdorëzohej Taçi sqaroi se nuk ishte në edukatën e tij dhe formimin personal, përdorimi i dhunës ndaj askujt dhe për më tepër ndaj përfaqësuesve të mediave. Prokuroria e Tiranës ka ngritur në ngarkim të Taçit akuzën e "goditjes për shkak të detyrës kryer në bashkëpunim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›