E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raboshta: Goli im në Gramsh ishte i rregullt

Nga SOKRAT  PAPADHOPULLI

Sulmuesi shkodran, Jasmin Raboshta, analizon humbjen e fundit dhe premton kthimin te fitorja në ndeshjen e së shtunës

Çezarin e pritën me lule, por i ngulën thikat. Edhe Luftëtarin e pritën me lule në Gramsh, por i ngulën thikën. Ekipi gjirokastrit pësoi humbjn e dytë në transfertë për të mbetur vetëm 2 pikë më shumë se vendi i dytë. Pse humbi në Gramsh? Sipas të dhënave, në radhë të parë vetë ekipi nuk doli në lojën e tij dhe për këtë ndikuan terreni, gjykimi dhe dëmtimi i qendërmbrojtësit Shalari që në minutën e 8-të.

Për çdo ekip, pas shumë suksesesh vjen momenti i dështimit, për të nisur një cikël tjetër, që për ekipin gjirokastrit parashikohet të shtunën në ndeshjen me Gramozin. Luftëtari pretendon të kthehet te fitorja, që do të jetë e 7-ta në Gjirokastër dhe e 9-ta në total. Futbollistët me më shumë stazh të Luftëtarit është e qartë se nuk janë ligështuar nga humbja dhe me siguri do të gjejnë forcat e duhura morale e fizike, që në thelb i disponojnë, për ta fituar këtë ndeshje.

Por duhet që lojtarët e tij të dalin te goli, sepse edhe në përballjen me Gramshin humbën mjaft raste për shënim. Në 11 ndeshjet  e zhvilluara deri tani, vetëm në 2 prej tyre nuk kanë shënuar gol dhe Luftëtari ka humbur, pra me Besëlidhjen dhe Gramshin. Në ndeshjen e fundit rezultojnë edhe 2 gola të Luftëtarit, të realizuar nga Nora dhe Raboshta, por që u anuluan për pozicion jashtë loje.

Raboshta Sulmuesi shkodran i Luftëtarit,  Jasmin Raboshta, thekson se ekipi ka forca të reagojë, ndërsa për golin në Gramsh mendon se ishte i rregullt: Ne shkuam në Gramsh me mendimin që të mos ktheheshim pa pikë, por këtë nuk e realizuam. Fusha ishte e rëndomtë dhe në të janë përshtatur vendësit, të cilët luajnë përditë dhe jo ne, që luajtmë një herë në vit. Kjo na pengoi të dilnim në lojën  tonë, ndërkohë që gjyqtarët anësorë dhanë 7 pozicione jashtë loje kundër nesh.

Në këto raste u anuluan edhe dy tundje rrjete, e para nga Nora dhe pastaj nga unë. Mendoj se goli im ishte i rregullt, por kjo tani ka marrë fund, sepse janë gjyqtarët që kanë kompetencat përkatëse dhe ndoshta janë në pozicion më përcaktues. Këto sollën edhe nervozizëm tek ne, sikundër dhe 5 kartonët e verdhë, që u akorduan për ne. Është e qartë që humbja është e hidhur, por ekipe absolutisht të pathyeshëm nuk ka.

Pra, edhe Luftëtari, krahas meritave, ka edhe të meta në lojën e tij. I fortë është ai ekip, që ka forca ti kapërcejë këto momente dhe të rikthehet shpejt te fitorja. Kjo është e mundur për ne që në ndeshjen e radhës, që e kemi në Gjirokastër me Gramozin.

Këtu kemi vetëm fitore dhe me siguri  kështu do të vazhdojmë, gjithmonë me mendimin se do të luajmë me agresivitet sportiv, pa e nënvlerësuar kundërshtarin dhe pa mbivlerësuar veten. Edhe pse mund të mos luajnë 2-3 titullarë, shpreh bindjen se Luftëtari, duke pasur një stol me lojtarë mjaft cilësorë për kategorinë e parë, do të realizojë fitoren e 9-të për të forcuar pozitat dhe për të gëzuar tifozët e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›