Rasti Brahimi, si ia rrëmbeu Shqipëria Zvicrës
Vetë 19-vjeçari Mërgim Brahimi pranon se mund të kishte luajtur për zviceranët, por FSHF e ka pikasur në kohë
Mund ti përkiste racës Berhami, Shaqiri, vëllezërit Xhaka, Mehmeti etj., por në rastin konkret Federata Shqiptare e Futbollit, me anë të punës së saj ka vepruar në kohë për të neutralizuar dhe ndalur një tjetër shqiptar në përfaqësuesen zvicerane. Mesfushori 19-vjeçar i kombëtares U-21 të Shqipërisë, Mërgim Brahimi, tregon historinë e tij kuqezi, e cila mund të kishte një tjetër ngjyrë.
Gjithsesi, Brahimi zbulon në intervistën për Sportin shqiptar dashurinë për Shqipërinë, pasi edhe familja e ka shtyrë që të zgjedhë këtë fanellën. Nëse FSHF nuk do ta kishte organizuar seleksionimin e Zvicrës një vit më parë dhe nëse Kuzhe nuk do të ndiqte një ndeshje të mes Grasshopersit dhe Zyrihut (U-21), sot Brahimi do të luante me U-21 të Zvicrës. 3 muaj pasi kishte pranuar të mbronte ngjyrat kuqezi, i ka ardhur ftesa nga kombëtarja helvetike.
Mërgim, në fillim na tregoni diçka më shumë për karrierën tuaj dhe familjen, d.m.th. hapat e para dhe si familja ju ka ndihmuar. Keni jetuar gjithnjë në Zvicër apo jo?
Po, familja më ka ndihmuar shumë. Në moshën 2-vjeçare kam ardhur në Zvicër me mamin, vëllanë dhe 2 motrat, ndërsa babai im ka qenë më herët në Zvicër. Në vitin 1997 kam nisur karrierën në Fc Redstar, pra një ekip në Zurih. Më pas kalova tek skuadra aktuale. Pra, para 4 vitesh jam bërë pjesë e Grashopersit.
Cili ishte ai që ju zbuloi për kombëtaren e Shqipërisë?
Nuk e di ekzaktësisht. Në fillim patëm një grumbullim në Zvicër. Federata Shqiptare e Futbollit ka dërguar ftesa në të gjitha klubet zvicerane për futbollistët shqiptarë, por unë dhe Bunjaku spatëm mundësi të ishim të pranishëm në atë grumbullim. Më pas, ish-trajneri i Shqipërisë, Josip Kuzhe, erdhi për të parë ndeshjen Grashopers U-21 me FC Zurih dhe më pas unë dhe Bunjaku, sipas informacioneve që kemi marrë, i kemi pëlqyer.
Përse nuk jeni prekur edhe ju nga “sëmundja” e lojtarëve të tjerë shqiptarë, që kanë zgjedhur kombëtaren zvicerane si Berhami & CO?
Unë jam shqiptar dhe familja ime më ka thënë që për mua është më e mirë rruga që të çon drejt Shqipërisë.
Keni pasur ftesë nga Federata e Zvicrës?
Po, mua më ka kërkuar Zvicra U-20 tre muaj më pas, por në ato kohë kisha zgjedhur Shqipërinë. E kur bëra edhe debutimin ndaj FC Zurih, më erdhi dhe një ftesë për Shpresat e Zvicrës.
E nëse ftesa do të vinte më parë, cila do të kishte qenë përgjigjja juaj?
Po të më kishte thirrur Zvicra më parë se Shqipëria, sigurisht që do ta kisha pranuar ftesën. Sepse është mirë të zhvillosh ndeshje ndërkombëtare për të treguar sesa vlen. Besoj se askush nuk do ta kishte refuzuar një ftesë të tillë, për të luajtur me përfaqësuesen e një vendi.
Nuk ju duket vetja pak tradhtar nëse mendoni në këtë mënyrë?
Jo, absolutisht. Nëse Zvicra do të më kishte ftuar përpara Shqipërisë, sdo ta kisha tradhtuar vendin tim. Është gjë tjetër nëse do ta kisha mohuar ftesën e Shqipërisë dhe më pas të pranoja ftesën e Zvicrës. Çdo futbollist ndjek rrugën më të drejtë për karrierën e tij.
Zemra më thotë se kam bërë mirë që zgjodha Shqipërinë, kurse në aspektin profesional ndoshta Zvicra do të më ofronte më shumë. Të jemi realistë, Zvicra të jep mundësinë të luash kundër skuadrave me emër, pra është vitrinë më e mirë se Shqipëria. Por unë tashmë e kam bërë zgjedhjen time dhe sjam penduar.
Aktualisht ku mund të shkojë Shpresa pas barazimit me Portugalinë?
Kemi parë se kjo kombëtare mund të përballet e barabartë dhe të kërkojë sukses dhe pikë ndaj çdo përfaqësueseje. Rusia na ka mundur vetëm pas një 11-metershi. Ndërkohë, me Portugalinë kemi barazuar 2-2. Ndaj Polonisë edhe mund të barazonim, por humbëm në fund 4-3. Rezultatet janë shumë pozitive, skuadra është shumë e re dhe mund të forcohemi akoma më shumë gjatë ditëve në vazhdim. Kam bindjen se pas dy vitesh do kemi forcë të mposhtim çdo kundërshtar.
Përse Grasshopersi gjendet në pozita të vështira në fundin e tabelës?
Kemi vështirësi sepse është një skuadër e re. Shumë lojtarë me eksperiencë dhe të mirë janë larguar. Nga ana tjetër klubi nuk ka investuar shumë për lojtarët e rinj.
Eliminatoret e ardhshme
Shqipëria U-17 dhe U-19 mëson sot kundërshtarët
Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani, ka udhëtuar dje drejt Zvicrës për të qenë i pranishëm në shortin që do të hidhet në Nion të Zvicrës, i cili do të përcaktojë grupet eliminatore për europianin e ardhshëm për të dyja grup-moshat (U-17 dhe U-19). Mirëpo më i rëndësishëm është shorti i Raundit Elitë për U-17, pasi përfaqësuesja kuqezi, që drejtohet nga Xhemal Mustedanagiç, u rendit e dyta në kualifikuese, pas Gjermanisë, duke lënë pas Sllovakinë dhe Estoninë.
Në bazë të rregullores së UEFA-s, në Raundin Elitë marrin pjesë 28 skuadra, të cilat do të ndahen në 7 grupe me nga 4 skuadra. Në përfundim të ndeshjeve, që do të zhvillohen në pranverë, e para e çdo grupi (7 gjithsej), kualifikohet për në finale. Atyre u bashkohet edhe Sllovenia, si vendi organizator, për të plotësuar numrin 8 të skuadrave finaliste, që do të përballen mes tyre në datat 4-16 maj.
