E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radarë “special” në pesë rrugë të vendit

03/06/2010 Regjistrojnë mjetet që ecin me shpejtësi, gjoba në shtëpi me postë. Ja ku do vendosen

DURRES- Drejtoria e përgjithshme e Policisë së shtetit ka shënjestruar si rrugët më problematike në vend segmentin e autostradës Durrës-Tiranë-Durrës, superstradën Tiranë-Shkodër-Tiranë, Durrës-Rrogozhinë, rrugën e Kombit Durrës-Kukës-Morinë dhe dy akse në Jug të vendit.

Aksidentet

Numri i madh i aksidenteve të rënda të ndodhura në këto rrugë kombëtare si dhe pamundësia e patrullimit në çdo kilometër apo kryqëzim e nyje problematike ka shtyrë institucionin qendror të vendosë në rrugë 5 radarë shumë cilësor që regjistrojnë të gjithë fushëmajen duke e mbajtur në memorie. Paralelisht me këtë përgjues shumë të kualifikuar janë vendosur edhe dy patrulla policie, të cilët komunikojnë me radarin. Kështu mjeti që ecën me shpejtësi mbi limitet e lejuara jo vetëm që regjistrohet, por edhe ndalohet rreth 2 km përtej radarit, ku qëndrojnë patrullat e palëvizshme të policisë. Komisari Rexhep Mula me gradën e rolit të mesëm në Policinë e Qarkullimit Rrugor në Durrës ka thënë se në këtë rast gjoba është 2 mijë lekë gjithnjë nëse drejtuesi i mjetit i përgjigjet tabelës së kuqe të policisë, ndërsa kundërshtimi për t’u ndalur në postbllok e ndëshkon kundërvajtësin me 4 mijë lekë gjobë. Fatura dërgohet në banesën e qytetarit me postë së bashku me kopjo të shiritit të regjistruar dhe mandatin e gjobës. “Çdo vonesë në shlyerjen e detyrimit ka të tjera penalitete”,- bën të ditur Mula. Vetëm efektivat e seksionit të qarkullimit rrugor në Durrës e Krujë kanë vendosur gjatë muajit maj 4233 gjoba me një vlerë prej afro 5 milionë lekësh, ndërsa janë pezulluar 163 patenta dhe janë bllokuar 185 mjete për shkelje të Kodit Rrugor. Vetëm në këtë muaj në rrugët e qarkut të Durrësit kanë ndodhur 16 aksidente të rënda nga ku kanë humbur jetën 6 shtetas dhe janë aksidentuar shumë rëndë 8 shtetas të tjerë. Por ndëshkime të tilla i përkasin kohës para nxjerrjes në terren të përgjuesve të tillë, të cilët pritet të kenë shumë më shumë efektivitet. Në shkallë vendi ka vetëm 5 radarë të tillë dhe kjo ka shtyrë institucionin qendror t’i vendosë në segmentet rrugore me të rëndësishme. Përdoruesit e këtyre përgjuesve shumë special e kanë të pamundur të ndërhyjnë për të fshirë nga kartmemoria mjetin e regjistruar, ashtu siç e kanë të pamundur të shmangin edhe gjobën për shkelësit e rregullores pasi gjithçka kontrollohet me korrektësi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›