E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë kilometra në pikat kufitare me Greqinë

Mijëra emigrantë po kthehen në atdhe për fundvit, e kjo ka bërë që të shtohen radhët veçanërisht në pikën kufitare të Kakavijës.

Vetëm gjatë tetë orëve të fundit, të paktën 4 mijë emigrantë kanë hyrë nga kjo pikë kalimi. 

 "Fluksi i emigrantëve pritet të rritet akoma në orët në vazhdim. Strukturat e policisë lokale kanë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve shqiptarë që pritet deri në fundjavë”, shprehet Gentian Mullai, zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, duke shtuar se në dispozicion të emigrantëve janë çelur 19 sportele, 10 në hyrje dhe 9 në dalje.

Sipas tij, nga kjo pikë kanë hyrë edhe 760 automjete. Në anën greke të kufirit, radha e emigrantëve ka arritur deri në 8 kilometra.

Ndërkohë, vihet re edhe rritje e numrit të qytetarëve që shkojnë në drejtim të Greqisë për të kaluar festat e fundit, duke qenë se atje ndodhen mbi 500 mijë emigrantë shqiptarë. Sipas të dhënave të fundit, radha e automjeteve në anën shqiptare të kufirit ka arritur në 1.5 kilometra. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-24 10:40
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›