"Rikthehet" kalldrëmi në rrugicat karakteristike
U rikthehet kalldrëmi tradicional disa prej rrugicave të vjetra korçare. Guri i zi tradicional i Drenovës, që është përdorur historikisht për shtrimin e rrugicave të Korçës me kalldrëm, po u rikthen këtë tapet të ri disa prej lagjeve të vjetra të qytetit, në të cilat gjatë këtij viti janë bërë punime për rrjetin e kanalizimeve. Ndryshe nga një pjesë e rrugicave që janë shtruar tashmë me asfalt, duke ndryshuar identitetin për shkak të intensitetit të lartë të lëvizjes së mjeteve, nga ana e bashkisë është parashikuar që disa nga rrugicat karakteristike të mbeten me kalldrëm, si pjesë e historisë dhe trashëgimisë së qytetit. Puna për shtrimin e kalldrëmit të ri me ngjyrë të zezë ka përfshirë disa nga rrugicat e vjetra, përkatësisht në lagjet 1, 2 dhe 3, ku janë kryer punime për sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Për t‘ju përshtatur më mirë standardeve të kohës, si dhe lëvizjes së mjeteve në këto rrugica, por edhe për të lehtësuar kalimin e këmbësorëve, shtrimi i kalldrëmit të ri po kryhet me një teknikë të përafërt me atë tradicionale, ndërsa gurët e vendosur janë në formë katrore. Punimet janë parashikuar të mbyllen deri në fund të muajit shtator.