Radhët e gjata, “serial” i njohur në Kakavijë
KAKAVIJË- Përsëriten edhe sot radhët e emigrantëve në pikën doganore të Kakavijës, në qytetin e Gjirokastrës. Radha e makinave të emigrantëve që presin për të kaluar në tokën greke shkon në 1 kilometër. Burime të sigurta thanë për gazetën se pala greke punonte me ritme të ngadalta duke vonuar procedurat për lëvizjen e emigrantëve. Ndërsa policia kufitare shqiptare ka vënë në dispozicion të gjithë personelin. Vetëm gjatë ditës së djeshme nga kjo pikë doganore kanë kaluar më shumë se 13 mijë shtetas me 2800 automjete. Fluksi i madh i emigrantëve po vihet re pothuajse çdo ditë në këtë pikë doganore të qytetit të Gjirokastrës. Edhe gjatë paradites së djeshme radha e makinave të emigrantëve arriti në 1 kilometër. Situata u normalizua vetëm në orët e pasdites së djeshme. Policia shqiptare vazhdon të sugjerojë emigrantët të zgjedhin edhe pikën kufitare “Tre Urat” për të kaluar në shtetin fqinj.
26 Gusht 2008