SHKB prangos shoferin e kamionit, ndihmoi për kalim të paligjshëm të kufirit
KAKAVIJË - Një shofer kamioni është ndaluar në flagrancë në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB) në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, pasi akuzohet për veprën penale “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit monetar”. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër thanë dje për gazetën “Albania” se Vasillaq Shyti, 47 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Fierit, kishte fshehur në kabinën e automjetit tip “Man”, me traga FR 2563 B, dy shtetas, të cilët tentonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin. “Gjatë kontrollit të automjetit, specialistët e SHKB-së kanë konstatuar se në kabinën e kamionit ishin fshehur dy shtetas, njëri nga Shkodra dhe tjetri nga Tirana”, - thanë burimet zyrtare, duke shtuar se gjatë intervistimit të të dy emigrantëve të paligjshëm është konstatuar se 47-vjeçari Shyti do të përfitonte 2500 euro për secilin në rast se bënte të mundur kalimin e kufirit. Po të njëjtat burime konfirmuan për gazetën se specialistët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë filluar hetimet për të zbuluar implikimin e mundshëm të punonjësve të shërbimit kufitar, si dhe të personave të tjerë në këtë çështje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
26 Gusht 2008