Shpërthejnë bombolat e gazit, digjen dy dyqane dhe një shtëpi
KORÇË - Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur banorët e qytetit të Korçës dje paradite rreth orës 09:00. Sipas Policisë, shpërthimi ka ndodhur në një dyqan me bombola gazi, në një zonë të quajtur “Trekëndëshi”, mjaft e populluar në qytetin e Korçës. Burime policore thanë se ka pasur tre shpërthime të njëpasnjëshme. Për fat të mirë deri tani nuk ka të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha. Dëshmitarët tregojnë se fillimisht ka qenë një shkëndijë në një nga bombolat e gazit dhe më pas kanë ndodhur shpërthimet e njëpasnjëshme të bombolave të gazit që ishin sistemuar në dyqan. Fatmirësisht të zotët e dyqanit dhe kalimtarët që ndodheshin në atë zonë janë larguar në kohë duke i shpëtuar flakëve të zjarrit dhe shpërthimeve. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur izolimin e flakëve brenda disa minutash. Mbetet permanent rreziku i ndonjë shpërthimi tjetër të mundshëm, pasi mjaft bombola gazi ndodhen në afërsi të dyqanit dhe jashtë tij. Policia ka evakuuar banorët dhe ka rrethuar të gjithë zonën. Mjetet zjarrfikëse po punojnë për të shuar zjarrin. Nga shpërthimi i bombolave të gazit është shkatërruar tërësisht dyqani. Një banesë aty pranë është shkatërruar pjesërisht. Dëmtime kanë pësuar dhe dyqanet që kanë qenë afër vendit ku ndodhi shpërthimi. Shpërthimi i ndodhur dje paradite në qytetin e Korçës rikthen në qendër të vëmendjes rrezikun e shpërthimeve të tjera të dyqaneve me bombola gazi, të cilat ndodhen në zonat e banuara. Në të gjitha qytetet, si dhe në Tiranë, këto dyqane janë të kudondodhura dhe pronarët e tyre nuk kujdesen as për masat më elementare të sigurisë në rast shpërthimi të mundshëm si ky i sotmi.
26 Gusht 2008