Shkurtohen nga puna, naftëtarët bllokojnë rrugën dhe kërkojnë pagën e një viti
Vlorë-109 punëtorë të ndërmarrjes së naftës në Gorisht të rrethit të Vlorës kanë bllokuar aksin rrugor që lidh Vlorën më Tepelenën. Për këtë protestë, 109 punonjësit kanë marrë edhe leje nga policia e Vlorës për tri orë që do të bllokonin këtë aks rrugor. Punonjësit e kësaj ndërmarrjeje, të cilët në datën 20 dhjetor kanë marrë gjithsecili nga një zarf për ndërprerje të marrëdhënieve financiare me këtë ndërmarrje dhe për largimin e tyre përfundimisht nga kjo punë, pretendojnë se u janë shkelur të drejtat. Sipas punonjësve, ata janë hedhur në rrugë pa marrë parasysh Kodin e Punës. Ndërkohë që janë shprehur se e pranonin reformën, por ndërmarrja “Stream Oil” që zotëron puset në këtë zonë, duhej të paguante dëmshpërblimin financiar të kërkuar sipas Kodit të Punës. “Ne nuk jemi kundër reformave që marrin ndërmarrjet, por këto ndërmarrje nuk kanë zbatuar asnjë pikë të Kodit të Punës, ku sipas këtij të fundit, pasi ne pushohemi për shkak të reformës, ndërmarrja e cila ka në përdorim puset e naftës Gorisht-Kocul, duhet që të na paguajë të paktën për një vit, gjë që të cilën ajo nuk e ka bërë”, - tha një nga punëtorët. Protestat do të vazhdojnë deri në zgjidhjen e problemit të tyre, ndërkohë që kanë kërcënuar se do të bllokojnë të gjitha burimet e nëntokës si dhe puset, ndërsa thonë se i kanë dërguar letër Kryeministrit, Presidentit, ministrisë përkatëse, si dhe Avokatit të Popullit, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje.