Radikalët serbë mbështesin Gaddafin

Ekstremistët ultranacionalistë të Partisë Radikale Serbe, SRS të drejtuar nga Vojislav Sheshel, kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj “vullnetit të popullit libian” i cili lufton për të qenë nën drejtimin e Muamar Gaddafit, i njohur për prirjet e tij anti-imperialiste e globaliste.
Në një komunikatë të shpërndarë nga agjencia e lajmeve Beta, SRS-ja kritikon qëndrimin e qeverisë serbe, që ka dënuar Gaddafin dhe rezistencën e tij të armatosur kundër protestuesve.
“Është më shumë se sa konfirmim, fakti që Serbia drejtohet nga njerëz pa ndërgjegje, pa principe morale dhe pa guxim, të gatshëm për tu poshtëruar, për të kënaqur Brukselin dhe Washingtonin, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga partia e Sheshelit.
“Lideri libian Gaddafi është një mik i besuar i Serbisë, ka qenë gjithmonë në anën tonë, si gjatë bllokimit ashtu edhe gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Është e turpshme të shohësh tani se si qeveria e presidentit Boris Tadic i bën kortezhe atyre që na kanë bombarduar dhe që kanë tendencë të bëjnë të njëjtën gjë më shtetin e liderit libian”, përfundon komunikata e ultranacionalistëve serbë.