Rusët mësyjnë Sarandën

“Ne dëshirojmë të jemi të pranishëm jo vetëm si turistë në Sarandë, por edhe me bizneset tona, njëlloj si në ishullin e Korfuzit”, është shprehur Leonid Abramov, ambasador i Rusisë në Tiranë, gjatë vizitës zyrtare që ka zhvilluar në Bashkinë e Sarandës.
I shoqëruar nga bashkëshortja Natalia Abramova, ai është pritur nga kryebashkiaku i Sarandës, Edmond Gjoka, i cili ka bërë për miqtë nga Rusia një prezantim panoramik të resurseve, përparësive dhe zhvillimeve të Sarandës.
Gjoka tha se resursi kryesor është turizmi dhe shërbimet në funksion të tij dhe këtë e ka argumentuar me rritjen e numrit të turistëve në mbi 600 mijë në vitin 2010, që janë 12 herë më shumë se në vitet 2003, 2004 dhe 50 për qind më shumë se në vitin 2009.
Megjithëse ambasadori pretendon për rritje të numrit të turistëve rusë, viti 2010 nuk shënoi ndonjë arritje domethënëse në këtë drejtim.
Ndërkohë, në ishullin e Korfuzit, përballë Sarandës, rusët janë turistët më të zakonshëm.
Madje, ashtu siç tha ambasadori Abramov, ata kanë edhe bizneset e tyre në ishullin grek, duke u ndier si në shtëpinë e tyre.