E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salca mbi tortë



Kryetarja aktuale e Partisë Socialiste Franceze, znj. Martine Aubry, duhet të ketë qenë e përgatitur shpirtërisht e fizikisht për të përdorur në kohën e duhur prodhimet pikante me salcë “Rochelaise”. Kjo, me qëllim që të tretej sadopak “torta e kremosur” e debateve pa bukë, që u servirën ashtu, sa “u hap sipari” i skenës majtiste franceze, në mbledhjen paraprake të kongresit të 1 tetorit.

Edhe z. Laurent Fabius, figurë e shquar e socialistëve francezë, që prej kohësh është shfaqur disi i tërhequr politikisht, nuk ka mundur të jetë më i përkorë se kaq, kur në këtë situatë të koklavitur të së majtës franceze ka deklaruar se “është bërë tashmë e pashmangshme që mes nesh të jenë të pranishëm jo vetëm militantët socialistë, por të krijohet një grupim sa më i gjerë, ku të përfshihen të gjithë ata individë që mbartin edhe një grim(c)ë ndjesie sociale në shpirtin e tyre e që janë njëkohësisht të gatshëm të votojnë për cilindo kandidat të mundshëm, që do t’i udhëheqë më tej socialistët”. Në mbështetje të tezave të L. Fabius-it, z. Bertrand Delanoe u tregua i gatshëm të nënshkruante një peticion nismëtarësh. Njëkohësisht, të majtët francezë i bënë thirrje avokatit të rangut të lartë, sipas tyre, z. Arnaud Montebourg, që të mos ngurronte aspak të ofronte sqimën e tij në këto çaste të rëndësishme për të majtën, me zgjerimin dhe përfshirjen e elitave të vjetra të socialistëve francezë e njëkohësisht për t’u përgatitur si “as nën mëngë”, si kandidat rezervë i të majtëve francezë, që mund t’i bënte ballë Nikcolas Sarkozy-së, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012. Një taktikë kjo aq dështake, saqë të nesërmen e Planit +, “asi nën mëngë” ndihej aq i fuqishëm në veten e tij, sa që dha tak-fak dorëheqjen nga partia, edhe pse duke iu drejtuar formave të njohura të përkujdesjes stilistike e diplomatike si “do të kisha dashur... apo... kini mirësinë...”

U pa qartë. Të gjitha reagimet paraprake u fshinë si me gomë, ashtu menjëherë, prej diskutimeve hyrëse të sekretares së parë të socialistëve të La Rochelle (krahinë në Francë). Do të duheshin tri ditë paqeje Puatiere (Poiautu-rajon historik) për të vënë qetësinë, pasi ajo goditi aq fort, saqë ia mbërriti të krijonte heshtjen e nevojshme në sallë, që deri asokohe gumëzhinte nga mërmërimat dhe belbëzimet vesh më vesh. Pati edhe diskutime shtojcë për llogari meskine, për të fituar terren apo edhe thjesht për të fituar disa pikë.

Nga ana e saj, Martin Aubry (kryetarja e PS-së franceze-shën.im) u hodh drejt e në “vijën” e sulmit. Ajo u shpreh se do të ishin votat e militantëve ato që do të kryenin rinovimin e partisë për kongresin e 1 tetorit. Më tej, ajo vuri theksin te pesë pikat (temat) thelbësore e që do të hidheshin në votë, për të marrë miratimin e delegatëve. Konkretisht: 1) Mandati i njësuar i parlamentarëve, (miratim pa debate). 2) Elementët bazë që do t’u referoheshin, për të përzgjedhur kandidatin socialist për kryetar të PS-së (i debatueshëm, për nga mënyra e përcaktimit të vetëm një kandidati në garë). 3) Garancia e barazisë në të gjitha instancat partiake . 4) Krijimi i Kartës së Etikës, nëpërmjet ngritjes së një komisioni etike për të garantuar qytetarinë e brendshme. 5) Rregulla për të lehtësuar në maksimum anëtarësimin e individëve të rinj dhe lehtësimin e procedurave të brendshme (diskutimet e anëtarësisë për 10 euroshin).

Nga ana tjetër, ajo deklaroi me saktësinë e saj karakteristike, hapat e para që do të ndërmerreshin për të përcaktuar kandidatin socialist në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, të cilat do të mbahen pa dyshim në “tremujorin e parë të vitit 2011”. Më pas shtoi se “ne dëshirojmë të vendosim që për modalitetet e nevojshme, të merret mendimi i të gjithëve së bashku”, që duhet diskutuar në frymë të atillë që “të përmbledhim të gjitha forcat e së majtës”, si dhe “nuk duhet të zërë vend mes nesh asnjë vendim personal, për të bllokuar mendimet ndryshe dhe gjykimet e të tjerëve”. Një formulë kjo për t’u admiruar, çka bën të mundur që ndodhitë e së shkuarës të duken si ëndrrat e një gjumi të trazuar. Ngaqë, kryetarja u shfaq më se e sigurt se masat paraprake janë si ato detajet e nevojshme që i mundësojnë kandidatit të fitojë terren brenda PS-së dhe nuk janë të paktë ata kandidatë apo edhe politikanë të spektrit të majtë, që nuk e lënë veten të tundohen (joshen) nga kjo mënyrë e re konceptimi: qoftë nga ana e Jean-Luc Mélanchon-it dhe mbështetësve të flaktë të partisë së tij “E majta”, NPA dhe PC, qoftë edh prej të gjelbërve - edhe pse gjenden ende në periudhë reflektimi - për hapat që do të hedhin më pas.

Mbeten më se të kuptueshme të gjitha argumentet e palës që mendon ndryshe mbi këto ngjarje të pritshme, duke ofruar ide të reja për zgjidhje të ndryshme politike. Duhet fillimisht qartësuar më shumë se çfarë kanë në thelb këto ide apo ideologji revolucionare, në gjirin e së majtës? Ka shumë nga ata të majtë që duan të thellohen e ta analizojnë me këmbë në tokë vetë spektrin e së majtës. Dhe pikëpyetjet ngrihen mbi formacionin “Modem” - ku një pjesë e të majtëve janë kundër pasjes së “Modemit” në koalicion - ndërsa një pjesë tjetër janë për të reflektuar deri në përfshirjen e tyre në gjirin e koalicionit të të majtëve. Gjithçka zë fill te vetë partia në fjalë, “Modem”, e cila nuk është parti që i përket spektrit të majtë, përkundrazi, por ka një specifikë të vlefshme për të majtët, ngase është parti me frymë anti-sarkoziste. Këtu qëndron dilema e së majtës franceze... a të vënë si parësore qenien e tyre si të majtë e më pas t’u qasen zhvillimeve të papritura e betejës së vazhdueshme për të marrë pushtetin apo të vënë përparësi politike betejën e gjithkrahshme, te koalicioni me shënjestër vetëm te “anti-sarko-politika”? Ky do të ishte me të vërtetë një “koalicion rrethanor”, por zor se do të shërbente mirëfilli si një formacion i strukturuar. Nga ana tjetër, qëndron kandidati i majtë Bayrou, që me atë supremacinë e tij klasike mund të arrijë deri edhe në marrëveshje për një qëndrim politik të alternuar me të tjerët apo të redaktojë aty-këtu program-tekstin e tij politik, në funksion të një fitoreje largpamëse.

Në vijim - ashtu siç e ka theksuar edhe Mélanchon - duhet një orë e më parë që kandidatët e majtë socialistë, sfidantë të Nicolas Sarkozy-së, të vënë në dijeni elektoratin e majtë për planet e përbashkëta dhe vizionin vetjak ndaj disa çështjeve kryesore që shqetësojnë popullatën: dalja në pension në moshën 60 vjeç, përcaktimi i pagës maksimale, ngritja e pagës minimale, zhvendosja e ndërmarrjeve të mëdha larg qendrave të banimit dhe zvogëlimi i niveleve të tregtisë ndërkombëtare...

Profilizimi i socialistëve, i kryer në mënyrë të tillë, mund të kthehet në një emërtesë më se të rëndomtë e përdorshme si “një shami xhepi” dhe e vlefshme për të shfryrë ndjesitë e ndryshme të atyre që do ta kenë të vështirë që të ndjekin pas linja politike, që realisht lëvizin rrotën nga vendi ku ka zënë vend. Megjithatë, ashtu siç është shprehur po aq saktë edhe vetë Jean-Luc Mélanchon, “zgjedhjet zakonisht fitohen për shkak të dinamikës që përdoret në fushatë, dhe jo nga procedurat administrative zgjedhore”.

Znj. Martine Aubry duhet t’i shkojë deri në fund lojës që ka nisur. Ajo po hedh hapin e parë të strategjisë së saj politike, duke mënjanuar dhe anashkaluar shkaqet e vërteta që e çuan PS-në e drejtuar prej saj drejt një dështimi kokëngulthi. Znj. Aubry nuk sulmoi aspak edhe kandidatin Bayrou, por e ftoi që t’i gjejnë pipëzat njëri-tjetrit e të ecin përpara. Ajo gjithashtu nuk përfitoi as nga rasti që iu dha për t’u dhënë goditje të menjëhershme “baronëve të vjetër” (kasketave te vjetra-shën.im), për t‘u tundur fort gishtin tregues vetë militantëve, se ajo do ta shndërronte rrënjësisht partinë, nga A-ja në Z e do të grumbullonte rreth vetës shumicën e të mandatuarve në parlament. Por, ajo u shpreh qartë se do të mbështetej vetëm tek “një barazi absolute te të gjitha niveleve partiake”. Vështirë të thuhet se një artist skene mund të mos përdorte një gjuhë të tillë, për një rast po të tillë, duke u shprehur artistikisht: “Si ç’po duken bathët, për ditët e kryetares në krye të PS-së, ka filluar numërimi mbrapsht”.

Rasti domethënës i bashkimit të së djathtës, që u krye suksesshëm disa kohë më parë (UMP), është një shans i mirë edhe për të majtët francezë, për të parë me kujdes, për të dalë në përfundime, si dhe për t’i vënë gishtin kokës.

Ndërsa Alain Juppé e vuri në jetë, Nicolas Sarkozy pati kohën e mjaftueshme ta mësonte e përvetësonte mënyrën se si fitohej apo skemën fituese. Por në këto ditët e sotme, formacionet e ndryshme politike që janë në skenë, nuk dinë gjë tjetër, veç të garojnë për të spikatur sa më shumë nga njëri-tjetri. Ndryshimet e vërteta mes UDF, RPR, CDC dhe Radikalëve, nuk bien më në sy të lirë, për pjesën më të madhe të tyre ideve që shprehin në publik. Pasi, gjithçka përfundon si ato grindjet e rëndomta e të zhurmshme të shoferëve parisienë, për shkak të borive të makinave. Këta rrethanorë nuk shpërfaqen ende të përmbushur për të majtën, ku ndryshimet ideologjike nuk janë aspak të përafërta. Sigurisht, mund të arrihet pa frikë deri atje sa të shkruhet, si p.sh. në të përditshmen “Libération” (titulluar “Aleanca e Madhe”):

“Mund ta quajmë “Bashkimi demokratik, ekologjik dhe social” (Rassemblement démocratique, écologiste et social) siç këshillon Daniel Cohn-Bendit ose “Aleanca e madhe”(Grande Alliance) siç gjykon Laurent Joffrin. Gjithsesi, bëhet fjalë për të njëjtën fjalë të artë, zgjidhje të artë. Ky soj mekanizmi që do të prodhojë sa hap e mbyll sytë “Unionin e të majtëve” apo edhe “Të majtën e shumatoreve”! Nuk duket se ka mbetur ndonjë gjë e pathënë për t’ia dalë mbanë, edhe në rastin e titujve gazetareskë. E me qëllim që gjërat të jenë sa më të qarta, gjithçka që shpallet prej të majtëve apo atyre që thirren ndryshe anti-kapitalistë, tashmë mund të shtjellohen thjesht si “pesticide” (pestiféré.)

Debate të tilla zor se i gjen dot “në tregun e lirë të ideve”, edhe sikur t’i kërkosh me qiri në dorë.

Në periudhën kur mori jetë formacioni politik UMP (koalicioni i drejtuar prej Nicolas Sarkozy-së - shën. im) ishim thuajse të gjithë të bindur se përthithja e një numri sa më të gjerë figurash politike, si dhe mbështetja prej një elektorati sa më të shtrirë, nuk ishte sipërmarrje e lehtë, aq sa edhe një operacion “pa dhimbje”. Madje, vragat e tij shquhen ende, edhe pse janë më të zbehta. Por, duke e pranuar tashmë si të mirëqenë këtë formacion politik, me kalimin e kohës ndihet vetiu se fryma ”përshkënditëse dhe egoiste” e fillimeve po bën firo të konsiderueshme. Janë specialistët, financierët dhe ekonomistët, ata që “i bien në kokë” apo i përafrohen rezultatit të fituesit të zgjedhjeve. Pse jo, këtë përllogaritje e kryejnë ndonjëherë jogabueshëm edhe kompanitë e basteve. Gjithsesi, socialistët francezë kanë qëndruar gjatë në kryq të udhës, të lidhur shpirtërisht me të kaluarën “e ndritur”, por që u mbetet pa duk. Tashmë kjo çapitje po u kushton shtrenjtë, për shkak edhe të pasioneve kuturu dhe vizioneve aspak pragmatike.

Përgatiti në shqip Z. Gj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›