Rafineritë e naftës, punëtorët "shqyejnë zinxhirët"
FIER/ Mbyllja e rafinerive nga tatimorët ka çuar në reagimin e punëtorëve të Fierit dhe të Ballshit
Katër automjete janë larguar pas hapjes së portave, pavarësisht kërkesës së tatimorëve për të ndaluar
FIER- Punëtorët e Rafinerisë së Naftës në Fier kanë shpërthyer dje portën e mbyllur me zinxhirë nga tatimorët e Fierit për të bërë të mundur hyrjen në ambientet e tyre të punës. Në të njëjtën kohë, 700 punëtorët e Ballshit janë mbledhur duke kërkuar rifillimin e punës.
Një gjë e tillë u ka dhënë mundësi katër automjeteve të ngarkuara me bitum që të dalin jashtë, drejtuesit e tyre nuk janë ndaluar nga inspektorët e Tatimores.
Ndryshe nga dita e diel ku pati një përplasje mes strukturave të Tatimores dhe Policisë së Shtetit, ditën e hënë kjo e fundit nuk është dukur aspak në ambientet e rafinerive të naftës, pavarësisht ngjarjeve të ndodhura.
Dita e dytë e bllokimit të aktivitetit prodhues e përpunues të naftës nga dega e tatim taksave Fier e Rafinerisë së Përpunimit të naftës Fier dhe Uzinës së Ballshit, prona të shoqërisë "Armo" shpk ka nisur e qetë. Porta vazhdonte të rrinte e mbyllur me një zinzhir të vendosur nga dega e tatim-taksave.
Mbi zinxhirët ndodhej një shkrese zyrtare e lëshuar nga Drejtoria e Taksave Fier, e firmosur nga drejtori i degës së Tatimeve Halim Lamaj ku thuhej: "Rafineria e Fierit dhe uzina e Ballshit mbyllen pasi nuk janë pajisur me autorizim akcize dhe magazine tatimore". Brenda ambienteve të brendshme të rafinerisë ndodheshin punëtore që rrinin pa punë, ndërsa disa të tjerë po mundoheshin të saldonin një tubacion me nënproduktin e naftës.
Njëri prej drejtuesve të kësaj rafinerie është shprehur se për të salduar është kërkuar edhe një mjet zjarrfikës që të ishte në gatishmëri, por pohoi se një gjë e tillë nuk u ishte lejuar nga inspektorët e tatimeve. Jashtë rafinerisë, rreth 50 metra larg portës së mbyllur me zinxhirë qëndronin tre inspektorë të tatimeve të Fierit. Kjo situatë ka vazhduar deri në orën 13:00.
Më pas, qindra punëtorë janë mbledhur para portës kryesore. Disa prej tyre kanë shkuar te porta kryesore dhe papritur ajo është hapur në të dy krahët. Askush nga tatimorët prezent në këtë ngjarje nuk ka ndërhyrë.
Njëri prej drejtuesve të grupit të inspektorëve lidhur me këtë situatë u shpreh se kishin marrë urdhër që të mos ndërhynin. Ndërsa dyert kryesore të rafinerisë ishin të hapura, janë dëgjuar sirenat e një zjarrfikëseje, e cila ka hyrë me shpejtësi në ambientet e rafinerisë. Dikush tha që kishte rënë zjarr, por ky panik është mbyllur shpejt pasi asgjë nuk ndodhi.
Në momentin që punëtorët ishin mbledhur në oborrin e rafinerisë, kanë dalë nga porta katër autobote që i përkisnin shoqërisë "Armo" shpk. Ato janë parë edhe nga inspektorët tatimorë, por edhe në këtë rast ata nuk kanë ndërhyrë.
Njëri prej inspektorëve ka marrë targat e autoboteve. Disa inspektorë të tjerë, të cilët ndodheshin në sheshin kryesor të ish-Azotikut, kanë tentuar të ndalojnë njërin prej autobotëve.
Por drejtuesi i mjetit është larguar dhe nuk ka ndaluar, edhe pse i është bërë shenjë që të qëndrojë. Pas kësaj, punëtorët kanë qëndruar edhe rreth 20 minuta e më pas janë larguar në drejtim të baneses
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Uzinën e Ballshit. Edhe aty, rreth 700 punonjës të kompanisë "Armo" kanë protestuar në orën 13:00 në mjediset e uzinës së përpunimit të thellë të naftës. Shkak i protestës ishte pikërisht bllokimi i bërë kompanisë "Taçi Oil".
Punonjësit kërkuan tërheqjen e urdhrit të policisë tatimore dhe rikthimin në punë, pasi sipas tyre ndërprerja e punës ndikon në vetë procesin e uzinës dhe në ekonominë familjare të tyre.
Sipas punonjësve, problemet duhet t'i zgjidhë vetë shteti, sepse siç u shprehën ata, "ne kërkojmë vetëm të punojmë për t'u ushqyer". Sipas drejtorit të prodhimit të kompanisë "Armo", kompani e blerë nga "Taçi Oil" ndërprerja është katastrofike dhe dëmi i shkaktuar vetëm për Uzinën e Ballshit shkon në rreth 30 milionë lekë të rinj.
Ky dëm, sipas tij, do të shkojë duke u rritur ndërsa mund të sjellë dhe rrezik për vetë uzinën, e cila është e amortizuar.
Duhet theksuar se në asnjë rast në të gjitha këto veprime deri në momentin që punëtorët janë shpërndarë, policia e rendit nuk ka ndërhyrë e nuk është dukur për asnjë rast.
Ditën e diel, rafineritë e naftës në Fier dhe Ballsh u bllokuan me urdhër të drejtorit të Tatim-Taksave për shkak se nuk janë pajisur me autorizim akcize dhe magazine tatimore.
Pas kësaj, drejtori i dy rafinerive, përfaqësues i "Taçi Oil" deklaroi se një vendim i tillë ishte abuzim nga ana e ministrit të Financave, Bode, për shkak se kompania "Armo" ishte blerë me mungesë dokumentacioni.