E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për tokat në bregdet, debat brenda PD-së

Drafti për shtëpitë apo hotelet në zonat turistike nxit debate në Komisionin e Ligjeve. Anëtarët demokratë kalojnë vetëm një pjesë të draftit.


TIRANË - Të gjitha aktet e shitjes dhe blerjes së apartamenteve apo të shtëpive të ndërtuara në zonat turistike dhe të regjistruara në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme do të shpallen të pavlefshme, ndërsa poseduesit e tyre do t'u duhet t'i nisin nga e para procedurat e blerjes në fillim të truallit dhe më pas të godinës.


Ky është parashikimi që bënë projektligji që ka nisur të shqyrtohet dje në Komisionin e Ligjeve "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", i cili vjen si një nismë ligjore e qeverisë për të zgjidhur problemin e pronësisë në rreth 20 fshatrat turistikë që janë licencuar në vendin tonë.


Objekt i këtij ligji do të jenë vetëm ato ndërtime që janë kryer para 31 dhjetorit 2008, ndërsa për ato që mund të jenë zhvilluar pas kësaj date do të zbatohet Kodi Penal, duke i sekuestruar apo prishur.


Por vet natyra komplekse e problemit, që kërkohet t'i jepet zgjidhje me këtë projektligj ka bërë që diskutimi i djeshëm në këtë komision të nxjerrë në pah vështirësi të shumta, qoftë për rrugët e zgjidhjes, ashtu edhe për vetë terminologjitë e përdorura nga hartuesit, për të cilat edhe vet përfaqësuesja e qeverisë, Marsida Xhafellari, nuk ka mundur do të japë shpjegimet e qarta, çfarë ka bërë që miratimi i shumë neneve të shtyhet.


Debatet


Ndër pikat më të nxehta që ka pasur edhe më shumë paqartësi nga ana e deputetëve ka qenë pikërisht neni 8 i këtij drafti, ku dhe parashikohet që Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave me Ndërtime Informale merr kompetencën e plotë për të kërkuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pra nga Hipoteka, çregjistrimin e veprimit juridik me anë të së cilës është bërë shitja - blerja e objektit nga qiramarrësi, që është personi që ka hyrë në marrëveshje me shtetin duke marrë të drejtën të ndërtojë një objekt në zonat turistike tek poseduesi, i cili është edhe pronari real i këtij objekti.


"Është e nevojshme që të bëhet çregjistrimi i njësive të ndërtimit nga ZRPP-ja pasi regjistrimi i këtyre objekteve konsiderohet i paligjshëm. Është e domosdoshme që të bëhet dhe çregjistrimi i shitjeve të paligjshme në mënyrë që t'i hapet rrugë zgjedhjes definitive të problemit", - u shpreh relatori i këtij projektligji ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.


Por, sipas përfaqësuesve të tjerë të komisionit të ligjeve ky është një akt, që mund të sjellë përplasje të shtetit me gjykatat, pasi poseduesit e këtyre ndërtesave, që janë të regjistruar në hipoteka mund të kërkojnë të drejtën e tyre për t'iu njohur akti i regjistrimit të dokumentit të shit-blerjes. "Nuk jam dakord me argumentin e sjellë nga përfaqësuesi i qeverisë se ne duhet të bëjmë zero gjithçka dhe pastaj të fillojmë nga e para. Unë mendoj se ky proces duhet të jetë në fund.


Pra, në momentin kur ALUZINI do të bëjë verifikimin dhe do të jenë paguar të gjitha detyrimet, atëherë momenti tjetër është kalimi në pronësi. Kur të bëjë kalimin në pronësi, atëherë hiqja atij njeriu pjesën e letrës, bëj shënimin në pjesën e Hipotekës.


Jo t'ia bësh përpara dhe më pas ta realizosh, pasi e konfliktuon tjetrin. Nëse ti ia heq këtu atëherë e detyron të shkojë në Gjykatë. Nuk duhet të futen në konflikt", - u shpreh deputeti demokrat Eduard Halimi, i cili ka këmbëngulur se ZRPP-ja nuk mund të zerojë aktin juridik të regjistrimit që ka kryer vet.


Ndërkohë një pikë tjetër e nxehtë, që ka shkaktuar debate në komision, ka qenë edhe ajo që përcakton se poseduesi, apo vet personi që ka bërë ndërtimin, do të mund të blejë për të privatizuar vetëm ndërtesën dhe truallin e tokës mbi të cilin është ngritur ajo, por jo oborrin dhe ambientet rrethuese.


Kështu, sipas përfaqësueses së qeverisë, Marsida Xhafellari, personi i interesuar (poseduesi) dhe personi i stimuluar (qiramarrësi i tokës nga shteti, pra ai që ka marrë lejen e ndërtimit të fshatit turistik) do të mund të blenë vetëm tokën truall, ku dhe është ngritur objekti, ndërsa oborret ashtu si edhe të gjitha pjesët e tjera brenda perimetrit të fshatit turistik, si rrugë, lulishte apo parqet do të jepen në bashkëpronësi.


"Oborri do kalojë në bashkëpronësi në tërësi pa të drejtë ndarjeje. Edhe kur është një edhe kur janë të tjerë", - tha Xhafellari. Por, sipas disa prej anëtarëve të komisionit kjo përbën një nonsens logjik, pasi personat që do të hyjnë në këtë proces do të paguajnë për një pronë që s'do ta kenë.


"Pra, unë duhet të paguaj dhe nuk do të kem pronën time", - tha deputeti Halimi. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetari i komisionit, Rusmali, i cili ka kërkuar shpjegime nga përfaqësuesit e qeverisë për mënyrën sesi është menduar t'i jepet zgjidhje një problemi të tillë. "Atje ku janë vilat truall nuk është vetëm trualli në godinë, por edhe sipërfaqja funksionale e domosdoshme, por këtë e dinë urbanistët dhe nuk e dimë ne.


Sepse nuk mund të lësh një vilë vetëm një metër katror mbi themelet, sepse sipërfaqja përreth është truall funksional dhe i duhet vilës", - tha Rusmali. Por sipas ish-ministrit Alibeaj qëllimi i projektligjit është pikërisht që të rregullojë marrëdhëniet në këto zona, pra që edhe të mos lejojë ndërtime të tjera.


"Natyrisht, që do të paguash dhe pronësia jote nuk do të jetë vetëm nën themelet e ndërtesës, por edhe në park edhe te rruga edhe përqark vilës. Me këtë bëhet e mundur që askush rreth vilës së vet të mos ndërtojë një vilë të dytë, ndërkohë që komshiu i vet të mos shohë as ajër dhe as dritë", - tha Alibeaj.


Ndërkohë drafti parashikon që poseduesi mund të blejë truallin duke e paguar atë sipas hartës së vlerës së tregut të miratuar nga qeveria.


Por, natyrisht që një veprim i tillë penalizon deri në një farë mënyre blerësit, të cilët sipas këtij projektligji do t'u duhet të paguajnë sërish lekë për t'ua blerë tani truallin shtetit, pasi ia kanë blerë një herë më parë personit që ka pasur në shfrytëzim. Si rezultat i debateve, anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë kaluar në parim vetëm 7 nene të draftit.


Debati
Xhafellari


Ne kemi vendosur datën 31 dhjetor 2008, se atëherë ka hyrë në fuqi ndryshimi i Kodit Penal, sipas të cilit çdo ndërtim pas kësaj date konsiderohet vepër penale.

Rusmali


Ju keni bërë një veprim shumë të fisëm që keni bërë këtë punë, por çështja është se askush nuk e kupton.

Xhafellari


Nëse duhet për mesazh për të tretët kjo është tjetër gjë, por për mua kjo është e kuptueshme dhe zbatueshme. Nëse duhet të kuptohet qëllimi atëherë rregullohet.

Halimi


Subjekt i interesuar do jetë vetëm poseduesi apo edhe personat e tjerë të cilët janë përfshirë ose kanë shitur më parë një ndërtesë të caktuar, pasi mund të ketë raste kur një ndërtesë është shitur disa herë.

Xhafellari


Ideja ka qenë që të përfshijë këdo që gëzon njësinë e ndërtimit, që mund të jetë ose firmë ndërtimi apo një qytetar i thjeshtë, që ka blerë njësinë e ndërtimit.

Halimi


Mendoj se subjekt i interesuar duhet të ishte personi, i cili posedon një nga njësitë e ndërtimit, pasi nuk mund të posedoj gjithë fshatin turistik.


Alibeaj


Projektligji parashikon që të mund të blesh vetëm tokën që është truall, pjesa tjetër, pra përfshi edhe oborrin do jetë në bashkëpronësi.


Xhafellari


Oborri do të kalojë në bashkëpronësi në tërësi pa të drejtë ndarjeje. Edhe kur është një edhe kur janë të tjerë.

Halimi


Pra unë duhet të paguaj dhe nuk do të kem pronën time.

Alibeaj


Po natyrisht, që do të paguash dhe pronësia jote nuk do të jetë vetëm nën themelet e ndërtesës por edhe në park, edhe te rruga edhe përqark vilës. Me këtë bëhet e mundur që askush rreth vilës së vet të ndërtojë një vilë të dytë.

Sula


Përsa i përket datës që ju vendosni, pra 31 dhjetori 2008, kush më siguron mua që ky ndërtim nuk është regjistruar pas kësaj date.

Xhafellari


Ka një procedurë verifikimi administrativ që do ta kryejë ALUIZNI dhe ku do të verifikohen dokumentet që do të paraqiten dhe verifikimi i gjendjes së ndërtimit në terren. Unë mendoj se ne kemi inxhinier të aftë të bëjnë verifikimet e duhura.

Sula
Në llaç, do t'i bëjë analiza llaçit ai?

Xhafellari
Nëse është e nevojshme edhe do të bëj.

Rusmali


Ju duhet të jeni të qartë, sepse në projektligj është fare e paqartë. Unë mund të thosha fare mirë se atje ku janë vilat truall nuk është vetëm trualli në godinë, por edhe sipërfaqja funksionale e domosdoshme, por këtë e dinë urbanistët dhe nuk e dimë ne. Sepse nuk mund të lësh një vilë vetëm një metër katror mbi themelet, sepse sipërfaqja përreth është truall funksional dhe i duhet vilës.


Por këtë ne nuk e dimë dhe unë nuk jam në gjendje ta them, prandaj verifikoheni si është dhe na thoni fare qartë se çfarë kërkon subjekti i interesuar dhe personi i stimuluar dhe kush e kërkon atë që do të mbetet bashkësi.


Rusmali


Nëse kemi një pasuri të paluajtshme "x" brenda fshatit turistik në mënyrë të kundraligjshme dhe nëse ky ligj nuk e prek atë pasuri, a ka ndonjë shans njeriu që e disponon, pronari, sepse është i regjistruar i futet procedurave të këtij ligji, thotë ç'më duhet mua unë jam pronar, e kam të regjistruar.


A mos kjo do të na shkaktonte rrezikun që për një pjesë të këtyre pasurive, do të dështonte procesi? Ai është pronari i një gjëje,
që nuk i takon, me regjistrimin fals është bërë pronar i truallit.


Ai thotë se s'kam nevojë të hedh para të tjera sepse unë jam pronar i truallit edhe pse është në mënyrë të kundraligjshme. Neni ka nevojë për riformulim.

Halimi


Kjo është një situatë faktike, pra në një fshat që ka 20 vila, 10 prej tyre e kanë bërë një proces të tillë, me veprim juridik apo me vendim gjykate kanë shkuar në hipotekë dhe janë regjistruar.


Që duhen të hiqen absolutisht dakord. Çështja këtu është se ALUZNI nuk mund të jetë ai që duhet të vejë dhe të kërkojë çregjistrimin e veprimeve juridike, as që ligji të shprehet nëse veprimet juridike janë të ligjshme apo jo, s'mund ta themi dot këtu si juristë që jemi.


Ai veprimi juridik, kontrata e shitjes nga personi i dytë apo i tretë është i ligjshëm apo jo s'mund ta themi me ligj. Kjo është një çështje që e zgjidh sistemi gjyqësor nëse është i ligjshëm apo jo, ne disponojmë vetëm regjistrimin, magazinimin nga ana e Hipotekës. A është në kompetencën e ALUIZNI-t të kërkojë procesin e çregjistrimit? E bën vetë kyeregjistruesi jo ALUIZNI. Do ta heqë vetë kryeregjistruesi.


Projektligji parashikon edhe tarifat e shitjes së truallit subjektit të interesuar


Drafti, si do të kryhet privatizimi i truallit

TIRANË - Privatizimi i truallit mbi të cilin është ndërtuar objekti në fshatrat turistik do të kalojë në një sërë etapash nëpërmjet të cilave do të mund t'i jepet vlerë juridike të gjitha ndërtimeve e ligjshme dhe të paligjshme në zonat me përparësi turistike.


Kështu, në kreun e dytë të projektligjit "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", parashikohen procedurat për kalimin e pronësisë, ku personi i interesuar (poseduesi) dhe personi i stimuluar (qiramarrësi) duhet të paraqesin brenda një afati 60 ditor dokumentacionin e parashikuar në ligj ku përfshihet a) kërkesa për kalimin e truallit në pronësi,


b) kontratën e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë ndërtuar, c) planimetrinë dhe sipërfaqen në m2,


ç) dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtuar, d) marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit, lejen e ndërtimit si dhe lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar. Për sigurimin e këtij dokumentacioni, ALUIZNI pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të njoftojë në mënyrë publike subjektet e interesuara dhe personat e stimuluar.


Me depozitimin e dokumentacionit ky institucion bën hedhjen e të dhënave sipas formularit të përcaktuar dhe në bashkëpunim me ZRPP-në bashkërendon punën për verifikimin e gjendjes juridike dhe në terren të njësive të ndërtimit, ndërsa në bashkëpunim me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave verifikon nëse ka kërkesa të tjera mbi pronësinë e tokës.


Ndërkohë, ALUIZNI kërkon nga ZRPP-ja ç'rregjistrimin e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit. Subjekti i interesuar ose personi i stimuluar ka të drejtë të kërkojë blerjen e truallit të njësisë së ndërtimit të cilën provon se e gëzon me anë të dokumenteve të paraqitura.


Çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar do të jetë në proporcion me sipërfaqen e tij në funksion të njësisë së ndërtimit që ai gëzon. Kur trualli i shitet subjektit të interesuar çmimi paguhet në masën 80 për qind të vlerës së truallit, prej subjektit dhe 20 për qind nga personi i stimuluar.


Çmimi i truallit që do të paguajnë subjektet e mësipërme mund të reduktohet në dy raste: a) në masën 10 për qind nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim, dhe b) në masën 20 për qind nëse paguhet brenda një muaji. Ndërkohë që vlefta e siguruar nga këto procedura është parashikuar ti kalojë fondit të kompensimit financiar të ish-pronarëve.


Në projektligj është parashikuar se kur dy ose më shumë persona gëzojnë njësinë ose njësitë e ndërtimit brenda së njëjtës zonë turistike, trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi, i cili nuk lejohet të ndahet.


Pas kryerjes së procedurave të mësipërme Ministri i Drejtësisë ngarkon ALUIZNI-n të lidhë kontratën e shitblerjes për kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin, si dhe njofton me shkrim subjektin fitues se i plotëson kushtet e parashikuara.


Kontrata e lidhur sipas këtij ligji regjistrohet në ZRPP, ndërsa kalimi i së drejtës së pronësisë së truallit sipas kësaj procedure nuk tatohet sipas dispozitave për tatimin mbi të ardhurat. Vetëm pas fitimit të pronësisë mbi truallin, subjekti i interesuar ka të drejtën të regjistrojë në ZRPP objektin.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›