E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rahatohen me rroga

Anëtarët e Bordit të RTK’së ia kanë rritur vetes të ardhurat personale. Ata tashmë nuk marrin honorare, siç i kanë vepruar deri më tash, por rrogë fikse. Kryetari Rrahman Paçarizi vendimin e arsyeton me racionalizim të shpenzimeve. Në asnjë nen të Ligjit për RTK’në nuk parashihet mënyra e pagesës për anëtarë të Bordit. Nga Nexhmije Ahmeti më 20 prill 2011 në ora 08:01

Tash e tutje, kuletat e njerëzve që përbëjnë Bordin e Radio Televizionit të Kosovës do të jenë më të mbushura. Pagat e kryetarit, nënkryetarit dhe shtatë anëtarëve të këtij bordi do të jenë shumë më të mëdha sesa që i kanë pasur deri më tash. Vendimi është marrë nga vetë bordi.

Kryetari i bordit, Rrahman Paçarizi, e arsyeton vendimin duke thënë se është marrë me qëllim të shkurtimit të shpenzimeve të mëdha që bordi ka pasur më herët.

Paçarizi sqaron se është ndërhyrë në honorarët, që kanë qenë të mëdha dhe janë ngritur pagat.

“Duke pasur parasysh shtimin e vëllimit të punës dhe të përgjegjësive, meqë kishte sasi të grumbulluar të punëve që kushtëzonin më shumë mbledhje e për të gjitha ato do të duhej të paguheshin honorarë të veçantë, përveç mëditjes së rregullt, atëherë Bordi ka vendosur t’i racionalizojë shpenzimet duke rritur rrogat dhe duke eliminuar pagesat e tjera shtesë”, tha Paçarizi për Express.

Honorari për një mbledhje, sipas Paçarizit, ka qenë 100 euro për person dhe këto nuk kanë ndryshuar që nga viti 2003, kur në bord kur kanë qenë edhe persona ndërkombëtarë, që janë paguar nga organizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Me këtë veprim, Paçarizi thotë se janë ulur shpenzimet që deri më tani kanë qenë të mëdha. Tash pagat e anëtarëve të bordit janë rritur 70-80 për qind më shumë se që i kanë pasur, por ata nuk marrin asnjë cent për pjesëmarrjet nëpër mbledhje.

Derisa anëtarët e Bordit mbajnë sekret pagën që marrin, kryetari Paçarizi tregon për Express se paga e tij deri më tani ka qenë rreth 700 euro, ndërsa tash me rritjen që është bërë është mbi 800 euro.

“Rroga e kryetarit është rritur për më pak se 30 për qind, që i bie se rrogën e kam të përafërt me anëtarët e Bordit”, tha Paçarizi.

Njësoj si kryetari i saj, edhe anëtarja Naime Beqiraj tregon se pagat janë rritur, por janë ndalur honorarët.

“Nuk do të thosha se ka rritje të pagave, por honorarët që i kemi marrë më herët janë ndalur, ndërsa tash kemi rrogë fikse”, tha Beqiraj.

Ndërkohë që ajo nuk tregon sa merr pagë, kolegu i saj, Shemsi Syla, nuk dëshiron fare të flasë në lidhje me këtë temë. Thotë se se për këto kompetent është vetëm kryetari i bordit.

Por, asnjëri nga ta nuk sqaron se në çfarë janë bazuar për këtë vendim, pasi që në Ligjin për RTK-në nuk sqarohet se nga cili buxhet paguhen anëtarët e Bordit të RTK-së.

Në Ligjin për RTK-në jepen sqarime për zgjedhjen e anëtarëve të bordit, për përgjegjësitë e tij, por jo edhe për mënyrën e financimit.

Një gjë të tillë nuk e di, po ashtu, asnjëri nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Media. Sadri Ferati nuk e ka idenë se si paguhen anëtarët e bordit të mediumit publik. Por, ai mendon se sikurse edhe anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike që marrin pagë, edhe këta duhet të paguhen.

“Pasi që ata paguhen, pse mos të paguhen edhe këta”, tha Ferati për Express.

Ndërkohë, në divizionin për komisione parlamentare në Kuvendin e Kosovës nuk kanë evidencuar ndonjë kërkesë nga ana e Bordit të RTK-së për ndarjen e buxhetit vjetor për këtë medium. Vitin e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka pranuar që RTK-së t’i jepet një “infuzion” buxhetor mbi pesë milionë euro. Ky “infuzion” vazhdon ende, me të cilat mjete paguhen punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës, nga i cili marrin paga të majme. Sidoqoftë, në Ligjin për RTK-në parashihen edhe burimet e financimit për televizionin publik. Në nenin 19 të këtij ligji, thuhet se Kuvendi i Kosovës do të sigurojë një kornizë financiare të përshtatshme, të sigurt dhe transparente që mund të përfshijë mbështetje nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës, e cila i garanton mjete të nevojshme RTK-së për ta përmbushur misionin e saj, i cili burim kryesor e parasheh parapagimin nga qytetarët.

Vendimi për ndryshimin e pagesave të anëtarëve të Bordit është marrë nga vetë Bordi, pa u konsultuar me askënd, edhe pse këta zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës

Përbërja e Bordit: Rrahman Paçarizi – kryetar, Aleksander Janjecevic - nënkryetar, anëtarë - Ali Podrimja, Naime Beqiraj, Avni Abazi, Arif Bozaxhi, Lindita Tahiri, Shukrije Gashi dhe Shemsi Syla.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›