E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shihen më rrallë

Takimet mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk do të mbahen më çdo dy javë. Palët kanë kërkuar nga Robert Cooperi që tash e tutje të takohen më rrallë. Ekipet do të bisedojnë çdo të tretën javë. Edita Tahiri ka thënë për Express se delegacioneve u duhet më shumë kohë për t’u përgatitur. Nga Valmir Klaiqi më 20 prill 2011 në ora 08:15

Ndërmjetësi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper ka pranuar edhe një kërkesë të delegacionit kosovar dhe atij serb.

Palët në bisedime kanë kërkuar që në të ardhmen takimet të mbahen çdo tri javë, me arsyetimin se u duhet më shumë kohë që të përgatiten.

Këtë e ka konfirmuar për Express, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.

“Propozimi i ndërmjetësit të dialogut, Robert Cooper në fillim ka qenë që ne duhet të takoheshim çdo dy javë. Mirëpo më pas, edhe ne, por edhe pala serbe vlerësuam se është shumë shpesh kjo dhe volumi i punëve është më i madh se mundësia për dy javë me u përgatitë. Dhe u morëm vesh që të takohemi çdo tri javë”, ka thënë ajo.

Kjo nuk është kërkesa e vetme që iu parashtrua lehtësuesit të dialogut në raundin e tretë, të premten e kaluar.

Për shkak të qëndrimeve të kundërta rreth telekomunikacionit, por edhe energjisë, palët kanë kërkuar nga Cooperi që edhe ai të propozojë zgjidhje për këto dy çështje. Idetë e britanikut për këto dy tema do të shpalosen në takimin e radhës që është parashikuar të mbahet në gjysmën e muajit tjetër.

Përveç takimeve që ndërmjetësohen nga Cooperi, pjesë e rëndësishme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë janë takimet mes grupeve të ekspertëve kosovarë dhe atyre serbë që po ashtu mbahen në Bruksel, ku marrin pjesë edhe ekspertë të Bashkimit Europian.

“Po, grupet takohen vazhdimisht në Bruksel. Secili grup ka ndërmjetësuesin nga BE’ja, varësisht kë e emëron zoti Cooper. Për shembull, për çështjen e regjistrave civilë ndërmjetës është Andy Sparks nga EULEX’i. Ndërsa për grupin e telekomunikacionit dhe të energjisë, kanë qenë ndërmjetës të tjerë, që po ashtu vijnë nga fusha e këtyre dy temave dhe të cilët pastaj raportojnë kur takohemi në raunde në nivel qeveritar, kur takohemi si delegacione”, ka thënë Tahiri.

Zëvendëskryeministrja sqaroi se raportimet e grupeve të ekspertëve shërbejnë për të parë se për cilat aspekte ka pikëpamje më të afërta.

“Grupet punuese janë munduar që të japin propozimet dhe pala e tretë është përpjekur që të shohë se sa janë të afruara pikëpamjet. Edhe prej kësaj periudhe, deri në raundin tjetër, sipas nevojës, ndërmjetësi Cooper mund të propozojë që grupet e ekspertëve të takohen përsëri. Metodologjia është që të takohemi në nivelin qeveritar dy palët, ndërsa në ndërkohë të punojnë grupet ekspertëve në draftet konkrete të propozimeve. Natyrisht synimi është që të dilet me një propozimmarrëveshje pasi që të krijohen këto kushtet e marrëveshjes”, ka thënë Shefja e delegacionit të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Qeveria e Kosovës angazhohet në këtë dialog për të bërë zgjidhje për çështjet praktike. Ajo shtoi se zgjidhjet e tilla duhet të jenë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës si dhe me ligjet e BE’së.

“Ne kundërshtojmë çfarëdo propozimesh që aludojnë në zgjidhje etnike të këtyre çështjeve. Po ashtu, synim kryesor kemi përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe afrimin sa më të shpejtë të Kosovës me BE’në”.

Pas çdo takimi në Bruksel, Shefja e delegacionit të Kosovës e njofton Kryeministrin Hashim Thaçi, ndërkaq Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic e njofton presidentin Boris Tadic.

Beogradi me plan të ri

Presidenti i Serbisë ka mbajtur një takim me emisarin e tij në dialog, të hënën, kanë njoftuar mediat serbe.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm, Vuk Jeremic si dhe Goran Bogdanovic, ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Shefi i delegacionit serb ka deklaruar se Beogradi ka një plan të ri për dialogun me Kosovën, por nuk ka pranuar të japë asnjë hollësi.

“Nuk dua të nxjerr informacione, por hartuam një skenar deri në detaje për lëvizjet në të ardhmen si dhe për propozimet e ndryshme”, tha Stefanovic.

Ai shtoi se “gjërat janë shumë urgjente dhe çdo lëvizje e njëanshme në Kosovë mund të vërë në pikëpyetje gjendjen e brishtë të sigurisë”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›