Censusi, INSTAT nis verifikimin e të dhënave në terren
Nis në terren anketa e pas Censusit, për të verifikuar cilësinë e të dhënave të deklaruara. Me një pyetësor prej 11 pyetjesh INSTAT po monitoron në këtë mënyrë punën e 12 mijë anketuesve, numrin e familjeve të lëna jashtë procesit apo tjetërsimin e të dhënave, nëse ka. Drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja, shpjegon se kjo anketë që do të zgjasë tri javë synon që të masë cilësinë e të dhënave të mbledhura gjatë Censusit. “Kjo anketë shërben për të vlerësuar përqindjen e mbulimit të popullsisë dhe banesave, të Censusit. Përgatitjet për këtë anketë kanë filluar paralelisht me Censusin, disa muaj më parë”, - deklaron Nurja. Ajo bën të ditur se për këtë anketë është përgatitur një pyetësor tip me 11 pyetje dhe kohëzgjatja në terren do të jetë rreth 3 javë. Aktualisht janë rreth 106 anketues të INSTAT të cilët kanë filluar punën në terren për të mbledhur këto të dhëna. Numri i zonave të Censusit, të përzgjedhura, është 106 (rreth 1% e totalit të Shqipërisë), të cilat përfaqësojnë të gjithë territorin e Shqipërisë dhe që mbledhin informacion në rang qytetesh të ndara në urban-rural. Lidhur me marzhin e gabimit, Nurja sqaroi se procesi i përllogaritjes ende nuk ka përfunduar, ndaj duhet pritur. “Kemi filluar skanimin e shumatorëve, dhe pasi të bëhet skanimi do shohim marzhin e gabimit. Normalisht ka një marzh gabimi”, - u shpreh Nurja. Censusi i popullsisë dhe banesave është numërimi i të gjithë njerëzve, banesave dhe pronave brenda territorit të Shqipërisë në një kohë të caktuar. Ai është një imazh statistikor që tregon, përmes të dhënave, kush jeton në Shqipëri, kushtet social-ekonomike dhe kushtet e jetesës. Në mes të muajit dhjetor INSTAT pritet që të nxjerrë të dhënat e para të Censusit, i cili u zhvillua gjatë muajit tetor.