E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festohet i ndarë Çlirimi i Tiranës

Rama homazhe tek “Ushtari i Panjohur”, Bashkia te “Varrezat e Dëshmorëve”

Edhe këtë vit opozita dhe mazhoranca e kanë festuar me 2 ceremoni të veçanta 67-vjetorin e Çlirimit të Tiranës. Kreu socialistëve, Edi Rama, së bashku me deputetë e këshilltarët e majtë në Bashkinë e Tiranës, zgjodhën monumentin tek “Ushtari i Panjohur” për të vendosur kurora me lule e për të zhvilluar ceremoninë homazh. Ndërsa Bashkia e Tiranës, në mungesë të kryetarit Lulzim Basha, ka zgjedhur “Varrezat e Dëshmorëve”, për të përkujtuar luftën e vitit 1944 për çlirimin e Tiranës. Nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku dhe Edmond Panariti, nderuan dëshmorët e atdheut të rënë për çlirimin e Tiranës, në përkujtim të 67-vjetorit të kësaj ngjarje. Dy nënkryetarët e bashkisë, krerët e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të Prefekturës së Tiranës, Këshillit të Qarkut, kryetarët e njësive bashkiake dhe të shoqatave të Veteranëve të Luftës vendosën kurora pranë monumentit “Nënë Shqipëri”. Të pranishëm në ceremoninë e nderimit të dëshmorëve nën tingujt e Bandës së Qytetit, ishin edhe drejtuesit e njësive bashkiake. I pyetur nga media për arsyen e ceremonisë te memoriali “Nënë Shqipëri”, nënkryetari i Bashkisë u shpreh se është një zgjedhje e natyrshme. “Unë mendoj se është një zgjedhje e natyrshme, pasi luftëtarët e rezistencës që u sakrifikuan për çlirimin e qytetit i takojnë dëshmorëve të Shqipërisë. Ata prehen pranë dëshmorëve të tjerë dhe kjo ditë e çlirimit të qytetit është në kujtim e në respekt të tyre dhe është e natyrshme që edhe homazhet të bëhen pranë Varrezave të Dëshmorëve”, - u shpreh Panariti. Në fakt, kjo nuk është hera e parë por e disata që forcat politike ndahen në festime kombëtare. Rasti më tipik del në pah në ditën e Çlirimit dhe të Pavarësisë, 28 dhe 29 Nëntorit, e cila asnjë vit nuk ka arritur të bëjë bashkë të gjithë politikën, si në koncept edhe në festime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›