E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raikonen: “Titujt? Luftë mes Ferrarit dhe Meklarenit”

Finlandezi: “Do të jetë një kampionat i mbushur me vështirësi”. Hamilton: “Ndihem më i përgatitur për të fituar titullin kampion”
Dash Frashëri

Diplomaci e pastër. Vlerësim kundërshtarësh. Respekt, por edhe me pak hipokrizi. Kjo është sjellja e të gjithë pilotëve elitarë të Kampionatit Botëror të Formula 1, që nis të premten me provat e lira, vazhdon me provat zyrtare të shtunën dhe do të përfundojë të dielën, më 16 mars, me garën e parë në cirkuitin e Melburnit.
RAIKONEN
Ferraristi Kimi Raikonen, kampioni në fuqi i Botës, është edhe njeriu që duhet të mundet. “Janë dy skuderi dhe katër pilotë që kanë shanset më të mëdha, por duhet të presim garën e parë për të vlerësuar kush është më i forti”, - theksoi finlandezi në konferencën zyrtare të shtypit, në pistën e “Abert Park”, në Australi. “Njeriu i akullt”, siç thirret Kimi nga media, sheh edhe këtë vit një luftë midis Ferrarit dhe Meklarenit. “Nuk shoh asnjë diferencë në raport me vitin e kaluar”, - shpjegon ai, - “njoh njerëzit, ekipet, gjithçka është në rregull. Do të jetë një kampionat i mbushur me vështirësi, por është e qartë që ne do të bëjmë më të mirën e mundshme. Me Masën (piloti tjetër i Ferrarit) situata është e njëjtë. E rëndësishme është e mira e skuadrës dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë sezonit”.
Kimi flet edhe për spanjollin Fernando Alonso: “Vitin e kaluar ishte shumë i rëndësishëm për MekLaren. Këtë vit, Reno ka bërë teste të mira. Do të jetë më i fortë, por këtë do ta shohim realisht në garat e ardhshme”.
MASA
Edhe braziliani Felipe Masa flet për kampionatin. “Makina është përmirësuar dhe është kompetitive, por përgjigjet reale do t’i marrim në gara. Testet ishin pozitive, por nuk e dimë se si janë të tjerët, që janë fshehur pak. Ne, - shtoi ai, - duhet të punojmë shumë dhe të bëjmë një pjesë të parë të mirë të sezonit. Mund të ndryshojë gjithçka nga një garë në tjetrën”. Megjithatë, Australia në vitet e fundit nuk i ka sjellë fat. “Dy vite me parë pata një incident në nisje me Rozberg dhe vitin e kaluar probleme me marshet, por pista më pëlqen dhe në të kaluarën kam bërë edhe gjëra të mira. Tani kam në dispozicion një makinë të qëndrueshme dhe të shpejtë, besoj se do të bëj një garë të mirë. I vetmi problem që mund të jetë është shiu ose vaji në pistë. Të drejtosh makinën në ato kushte, është pak e vështirë”, - shpjegon ai.
KONTRATA
Ferrari arriti një marrëveshje me “Etihad Airways”, kompaninë ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, që do të jetë kështu një tjetër sponsor zyrtar i skuderisë italiane. “Jemi të kënaqur që nisëm këtë partneritet, që forcon edhe lidhjet tona me Emiratet e Bashkura Arabe”, - deklaroi presidenti i Ferrarit, Luka di Montezemolo.

Box:
Hamilton: “Jam më i përgatitur”

“Ndihem më i përgatitur për të fituar titulin kampion”. Kjo është deklarata cinike e pilotit të Meklarenit, Luis Hamilton, në prag të Çmimit të Madh të Australisë, njëherësh edhe i pari i sezonit të ri në Formula 1. “E di se si është kampionati”, - tha britaniku. “Unë nervoz? Jo, ndihem mirë. Kam më pak presion se sa vitin e kaluar. Jam shumë i përqendruar”. Luis e përcaktoi shumë të mirë raportin me shokun e tij të ri në ekip, Kovalainen.

Denis: “Kapo i Meklarenit jam unë”

Edhe pse zotëron vetëm 15 për qind të skuderisë anglo-gjermane, Ron Denis e thotë gati me arrogancë: “Njeriu kryesor te Meklaren jam unë”. Denis ishte në qendër të polemikave të “Spy story” (Historisë së spiunazhit) gjatë sezonit të kaluar dhe shumë veta e konsideronin të përfunduar aventurën e tij. Bosi i skuderisë ndihet optimist për sezonin: “Makina është kompetitive dhe fituese”, - shpjegoi ai, - “por forcat reale të kampionatit do të mund të kuptohen vetëm pas garës së Bahreinit”. Së fundi, edhe një mesazh për Alonson: “Do të na mungojë, por megjithatë ne kemi dy pilotë të aftë”.

Alonso: “Jo menjëherë fitues”

“Nuk kemi një makinë për të fituar menjëherë, por mund të rritemi”. Piloti i skuderisë franceze Reno, spanjolli Fernando Alonso, nuk beson se ka shanse të mëdha për të fituar titullin e tretë. Dy herë kampioni i botës u rikthye te Reno, pas një sezoni te Meklaren. “Nuk gjeta shumë diferenca me dy vite më parë. “Duhet vetëm të kuptojmë se ku jemi. Me përjashtim të Ferrarit e Meklarenit, do të ekzistojë edhe një garë e bukur midis skuderive të tjera”.

Skuderitë dhe pilotët

Ferrari
K.Raikonen
F.Masa
McLaren Mercedes
L.Hamilton
H.Kovalainen
BMW Sauber
N.Heidfeld
R.Kubica
Renault F1
F.Alonso
N.Piquet Jr.
Williams Toyota
N.Rosberg
K.Nakajima
Red Bull Racing
D.Coulthard
M.Webber
Toyota
J.Trulli
T.Glock
Scuderia Toro Rosso
S.Bourdais
S.Vettel
Honda Racing
J.Button
R.Barrichello
Super Aguri F1
T.Sato
A.Davidson
Force India
A.Sutil
G.Fisichella

Riberi: “Ëndërroj topin e artë”

Fantazisti i Bajernit të Munihut, Riberi, ëndërron “Topin e artë”, por pranon se çdo krahasim i tij me Zidan është i parakoshëm. Lojtari është duke kaluar një formë të jashtëzakonshme, duke i argëtuar bavarezët me golat dhe asistët e tij. “Nëse do të luaj kështu deri në fund të sezonit, duke diskutuar edhe një vit të madh në Europë, mund të jetë një vit i rëndësishëm për mua”, - tha francezi. “Jam duke menduar për ‘Topin e artë’, do të ishte e jashtëzakonshme, është diçka të cilën e kam vënë në shënjestër qysh kur luaj futboll”, - përfundoi ish-shoku i Lorik Canës, te Olimpiku i Marsejës. Për të kujtuar është edhe një dylyftim i ashpër i Altin Lalës, shqiptarit që luan për Hanover 96 në kampionatin gjerman me Riberinë e Bajernit, pas së cilës kapiteni i kombëtares shqiptare u ndëshkua me karton të kuq, por dhe prodhoi debate të ashpra në median sportive gjermane në lidhje me gjykimet “pro Bajern”.

Venger: “Arsenali do të fitojë kampionatin”

“Nuk kemi asnjë krizë në kampionat”. Këtë beson Arsen Venger, trajneri i Arsenalit, i cili beson se skuadra e tij ka më shumë shanse të fitojë kampionatin anglez se sa Mançester Junaitid. Në katër ndeshjet e fundit të Premiership, Arsenali reduktoi avantazhin prej 6 pikësh në një diferencë prej dy pikësh me Mançesterin, që ka nga ana e tij edhe një ndeshje më pak. “Do të fluturojmë shpejt”, - tha Venger. “Kaluam përmes situatave shumë të vështira, por e rëndësishme është që të mos humbim bindjen te forcat tona dhe të qëndrojmë të përqendruar”.

Arratisen pesë futbollistë kubanezë

Janë të çmendur për Amerikën dhe mezi e gjejnë rastin të shkojnë atje. Pesë sportistë të Kombëtares kubaneze të futbollit U-23, që gjendeshin gjatë një aktiviteti në Shtetet e Bashkuara, janë zhdukur pa lënë gjurmë, pas një ndeshjeje të vlefshme për kualifikueset e Olimpiadës së Pekinit. Pesë lojtarët e braktisën skuadrën menjëherë pas përfundimit të takimit kundër Shteteve të Bashkuara, të përfunduar 1-1. Midis 5 të arratisurve, ishte edhe kapiteni i skuadrës, Henier Bermudez.

Atletiko hyn në garë për Diegon

Atletiko e Madridit hyri edhe ajo në luftën për të siguruar shërbimet e mesfushorit të Verder Bremenit, Diego, i ndjekur edhe nga Çelsi e Juventusi. Lajmi bëhet e ditur nga mediat spanjolle. “Los Colchoneros” janë të lidhur me yllin brazilian prej disa muajsh, por tani janë të gatshëm t’i bëjnë atij një ofertë zyrtare, parë dhe faktin se shumë klube të Bundesligës gjermane kërkojnë shërbimet e tij. Kontrata e Diegos në Gjermani përfundon në vitin 2011 dhe ai vetë nuk dëshiron të shpejtohet, pasi u bashkua me Verderin për vetëm 6 milionë euro dy vjet më parë. Diego zotëron edhe një pasaportë italiane dhe nuk do të zërë asnjë vend jo-europiani, çka e favorizon talentin brazilian.

Kalderon: “Shuster, mos ki frikë!”

Presidenti i Realit të Madridit, Ramon Kalderon, risiguroi trajnerin Bernd Shuster se ai nuk ka asnjë qëllim ta zëvendësojë atë në verë, edhe pse thashethemet në shtypin spanjoll janë në kulm. Sipas gazetës prestigjioze “Marca”, shefi i “Los Merengues”, Kalderon, i tha Shusterit se ai nuk ka menduar kurrë për të gjetur një trajner të ri, por të vazhdojë punën e tij. Ish-trajneri i Getafes, me Realin e tij qëndron në krye të Primera Divizion me një diferencë të qartë ndaj Barcelonës së vendit të dytë dhe madrilenët mund të bëjnë një “bis” titujsh pas atij të fituar sezonin e kaluar nga italiani Fabio Kapelo.

Berluskoni shpreh keqardhjen për Interin

Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, shprehu keqardhjen e tij për eliminimin e Interit nga Liga e Kampioneve, pas dy humbjeve me Liverpulin. Ish-kryeministri i Italisë megjithatë shprehu dëshirën të shihte në gjysmëfinale ekipin e vetëm italian të mbetur në tetë ekipet më të mira, Romën. “Unë shpresoj se ata do të bëjnë përpara”, - pranoi Berluskoni, i cili vlerësoi zikaltërit. “Interi i këtij sezoni është i jashtëzakonshëm, megjithatë ata u ndëshkuan nga dy ndeshje të këqija. Është për të ardhur vërtet keq”. Milani, kampioni në fuqi i Europës, u eliminua gjithashtu nga një ekip anglez, Arsenali, në raundin 1/16. Nga katër ekipet italianë që morën pjesë në Ligën e Kampioneve - Milan, Inter, Lacio dhe Roma - vetëm kjo e fundit vazhdon rrugën drejt finales së Moskës.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›