Bamir Topi: “Grazie komisar Katani”
Gjatë mesditës së djeshme, sipas axhendës, presidenti Bamir Topi është takuar me aktorin e njohur italian me origjinë shqiptare, Mikele Plaçido. Presidenti Topi i ka uruar mirëseardhjen “komisar Katanit” në Shqipëri dhe e ka falënderuar aktorin për kontributin e dhënë në interpretimin e filmave me temë shqiptare. Gjithashtu, Topi ka shprehur admirimin e tij për interpretimet e aktorit të njohur në filmat e ndryshëm me tematikë sociale dhe probleme që shqetësojnë sot mbarë Europën. Ndërkaq, Mikele Plaçido, duke shprehur mirënjohjen e tij për pritjen dhe nderimin e bërë, duke theksuar se kësaj here ka mbetur me të vërtetë i mahnitur nga zhvillimet dhe ndryshimi i madh në Shqipëri. Sipas aktorit, bashkëpunime të tilla në art, sidomos në fushën e kinematografisë, krijojnë ura ndërlidhëse kulturore, të cilat, mbi të gjitha, i shërbejnë edukimit të brezave të rinj. Në takimin me presidentin, Plaçido shoqërohej nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Saba D’Elia dhe regjisori i njohur, Pirro Milkani.
Siç dihet, aktori italian ka një rol joprotagonist, atë të kontit, në filmin më të ri shqiptar të promovuar gjatë kohëve të fundit, “Trishtimi i zonjës Shnajder”, që vazhdon të shfaqet në kinema “Millenium II” në Tiranë.
14 Mars 2008