Vetëvrasjet, një digjet në Tiranë, tjetri varet në Përrenjas
TIRANË – Dy persona i kanë dhënë fund në mënyrë tragjike jetës së tyre. Burimet policore konfirmojnë vetëdjegien dy ditë më parë, pranë një pike karburanti në fshatin Bërzhitë të Tiranës të një 29-vjeçari dhe vetëvarjen e një 38-vjeçari në Përrenjas. Policia bën të ditur për gazetën se shtetasi Avni Balla, 29 vjeç, banues në Tiranë, është lyer me benzinë dhe me pas i ka vënë flakën vetes. Djegiet e shumta në trup i kanë shkaktuar të riut vdekjen e menjëhershme. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e motiveve që e kanë shtyrë 29-vjeçarin drejt këtij akti. Mësohet se shtetasi Avni Balla është djali i pronarit të një pike karburanti në kryeqytet. Ngjarja e dytë lidhet me qytetin e Përrenjasit, ku një 38-vjeçar është gjetur i vetëvarur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Burime të policisë bëjnë të ditur se Mentor Kajacka u gjet i vetëvarur në banesën e tij. Ai është parë nga të afërmit, të cilët, edhe pse kanë ndërhyrë menjëherë për ta shpëtuar, ka qenë e kotë, pasi ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme”. Sipas burimeve të policisë dhe grupit hetimor të ndodhur në vendin e ngjarjes, bëhet e ditur se 38-vjeçari është vetëvarur në kushte depresive. Vazhdojnë hetimet për të zbardhur përfundimisht këtë ngjarje.
14 Mars 2008