E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raiola: Ibrahimoviç te Juve? Gjithçka është e mundur

Menaxheri: Andrea Anjeli do të prezantohet me një blerje të madhe

“Asgjë nuk është e pamundur”. Më shumë se sa një slogan publicitar. Ka nga ata që e kanë bërë tatuazh në lëkurë për ta kujtuar gjithmonë, si Klaudio Markizio. Dhe nga ata, si menaxheri Mino Raiola, që e ka bërë filozofi të jetës dhe mbi të gjitha të punës. Ndryshim skuadre? Për të gjithmonë është e mundur. Për të nuk ekziston një transferim i pamundur. Diskutimi vlente për Mario Balotelin, në ditët e furtunës zikaltër dhe vlen për Zlatan Ibrahimoviç, klientin e tij më të çmuar. Zërat lidhur me tentativën sugjestionuese të Juventusit për të rikthyer Ibrën në Torino kanë mbërritur edhe tek ai. Raiola nuk çuditet, madje. Edhe nëse do të çuditej, si strateg i mirë, sigurisht nuk është tipi që e jep veten. Barcelona, në kuptimin e qytetit dhe klubit, e trajton sulmuesin nga Malmoe në një mënyrë gjithnjë e më të ftohtë (edhe të shtunën ishte në pankinë). Problemet taktike dhe shkëlqimi i Mesit i kanë hequr dritë blerjes më të rëndësishme të merkatos së fundit. Populli blaugran reklamon me zë të lartë treshen e adhuruar Pedro-Bojan-Mesi. Logjike dhe e dobishme. Ndërsa Raiola-Ibrahimoviç është një çift i ambientuar të befasojë. Ibrahimoviç sërish te Juve? “është e natyshme, shpjegon Raiola, që presidenti i ri i Juves të mendojë për një blerje të madhe për të ringritur klubin. Dhe Zlatan është një nga lojtarët më të fortë në botë”. Duke perifrazuar Luçiano Moxhin, Raiola nuk konfirmon dhe as nuk përgënjeshtron. Sigurisht nuk i mbyll derën rikthimit. “Për mua në jetë nuk ka asgjë të pamundur. Madje, më pëlqen shumë të shndërroj në të mundur atë që mund të duket e pamundur. Në të kaluarën ia kam dalë disa herë”. Në fakt goditjet surprizë janë në tipin e tij. Në të kaluarën nga Juve tek Interi dhe mbi të gjitha nga zikaltrit te Barcelona, dora e tij ka qenë vendimtare. Me katalanasit, verën e shkuar, e ka mbyllur vetë operacionin. Në heshtje dhe pa konfirmuar kurrë, deri në fund. Raiolës kur i fiksohet një gjë e çon deri në fund. E njëjta gjë mund të thuhet për Ibrën. “Të jetë e qartë: Zlatan nuk është shitur kurrë. Ka qenë gjithnjë ai që ka vendosur të largohet dhe të zgjedhë destinacionin”, nënvizon menaxheri i tij.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›