Rajkard: “Adios Barça!”

Frenk Rajkard do të largohet shumë shpejt nga Barcelona. Madje e dëshiron një gjë të tillë. Deklaratën e fortë e jep, Jil van Eyke, ndihmësi i trajnerit holandez. Pohimi është publikuar në faqen personale të Rajkardit. Barcelona dështoi gjatë këtij edicioni në të gjitha kompeticionet, ku së fundi u eliminua në gjysëmfinalen e Ligës së Kampioneve nga Mancester Junaitid.
Eyle pohoi se vendimi i largimit do të merret nga ish-lojtari i famshëm i Milanit brenda disa javësh. Barcelona do të bëjë një "retushim" të plotë të ekipit dhe një numër i madh titullarësh ndodhen në një listë të zezë. Ronaldinjo, Deko dhe Henri janë të parët që do të largohen, ndërkohë që në këtë listë besohet të jenë, sipas gazetës spanjolle "As", edhe braziliani Edmilson, mbrojtësi italian, Xhanluka Zambrota, francezi Lilian Turam dhe meksikani, Rafael Marquez.
Sulmuesi kamerunas i Barcelonës, Samuel Eto'o pranoi se ai nuk e dinte se cfarë do të ndodhte te skuadra katalanase gjatë verës, por deklaroi se ai mendon se formacioni aktual mund t'u rikthehet fitoreve dhe të ngrejë më shumë trofe. Eto'o bëri një paraqitje të jashtëzakonshme me "blaugranasit" në ndeshjen kundër Mancester Junaitid në Ligën e Kampioneve, edhe pse formacioni spanjoll u eliminua.
Barca dominoi në zotërimin e topit duke i vënë në presion "Djajtë e kuq" për një periudhë të gjatë, por pa mundur të shënojnë. Eto'o mendon se ajo ishte një shenjë që ekipi është kthyer në kohën më të mirë të tij. "Unë nuk jam i vetm që e them këtë, pavarësisht se është fundi i një epoke. Kjo është një cështje e Txiki Begiristain, Hoan Laportës dhe Frank Rajkardit", deklaroi ai.
"Unë besoj se ekipi mund të fitojë sërish trofe. Unë mendoj se nuk kemi qenë aq të shkëlqyer dhe tani jo dhe aq të tmerrshëm. Barcelona është më e madhe se cdo lojtar dhe ajo që do të ndodhë do të jetë për të mirën e klubit", - përfundoi Samuel Eto'o.