E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajkard përshëndet Ronaldinjon: Mos harroni ç‘ka bërë për Barçën

Frenk Rajkard pohoi se mendon që ky ishte sezoni i fundit i Ronaldinjos te Barcelona. Duke folur për televizionin katalan, trajneri holandez foli rreth yllit brazilian, ashtu si nuk e kishte bërë asnjëherë më parë. Kur u pyet nëse Ronaldinjo do të largohej në merkaton e verës, ai u përgjigj: "Duhet ta mendoni që do të ndodhë". Më tej, Rajkard ngulmoi t‘i bindte tifozët e Barçës që të mos ta shohin sulmuesin si një lojtar që është në muajt e fundit me skuadrën, por si futbollistin më të dashur në "Kamp Nou", që i vetëm i ka kthyer klubit lavdinë. "Më vjen shumë keq që situata ka precipituar deri këtu, por unë jam në anën e tij (Ronaldinjos). Askush nuk ka për ta harruar atë që bëri ai për këtë klub. Shpresoj me të vërtetë që Ronaldinjo të shkojë në një tjetër skuadër dhe t‘i tregojë botës që mund të luajë ende. Koha e largimit të tij do të vijë, ndërsa neve do të na duhet të reagojmë mirë", tha trajneri. "Të gjithë duhet t‘i mbajnë mend gjërat ashtu siç kanë ndodhur. Unë nuk e kam mbrojtur në mënyrë të tepruar. Ai është një futbollist që asnjëherë nuk shkakton probleme". Ndërkohë, mësohet se Mançester Siti ka përgatitur një ofertë mjaft joshëse për brazilianin. Për të ndërtuar një skuadër me yje, pronari i klubit anglez, Shinauatra ka gati 40 milionë euro, me të cilat shpreson të fillojë bisedimet për blerjen e Ronaldinjos. Por, sipas konsulentit për merkaton e Milanit, Ernesto Bronzeti, Siti nuk mund të konkurrojë me klubin kampion bote. "Po, klubi i Shinauatras është shumë i interesuar për Ronaldinjon dhe ka gati 40 milionë euro për të vendosur në tavolinën e bisedimeve. Megjithatë, nuk ka asnjë shans që të arrihet një marrëveshje, pasi lojtari nuk do të pranojë kurrë. Ai dëshiron vetëm Milanin dhe nëse një ditë do të largohet nga Spanja, do ta bëjë për të luajtur në Itali". Prej disa javësh, Bronzeti po punon për të afruar në Milano yllin e Barcelonës: "U takova me Dinjon në Çmimin e Madh të Montmelos në Formula 1 dhe më konfirmoi se dëshiron që të luajë me fanellën kuqezi. Ai dhe Milani e kanë gjetur akordin ekonomik, por tashmë duhet të bindet edhe klubi i Laportës". Bisedimet ndërmjet Milanit dhe Barçës sapo kanë nisur, gjithsesi arritja e marrëveshjes nuk pritet të jetë e thjeshtë: problemi mbeten paratë. Milani mendon se shifra 20-25 milionë euro është e përshtatshme, edhe duke marrë në konsideratë faktin se Ronaldinjo mund të prishë kontratën duke shfrytëzuar nenin 17 të FIFA-s, që do t‘i lejonte të largohej nga "Kamp Nou" për 16 milionë euro. Nga ana e tyre, spanjollët nuk kanë pranuar të hyjnë në bisedime për një shifër më të ulët se 50 milionë euro.

Duke u rikthyer te Rajkard, tekniku ka folur edhe për ndeshjen e kthimit me Mançester Junajted në Ligën e Kampioneve. "Kundër Mançesterit duhet të luajmë fort, por edhe të ruajmë stilin sulmues të lojës sonë, tha ai. Duhet të jemi agresivë dhe t‘i vëmë nën presion". Rreth së ardhmes së tij, Rajkard tha: "Jam mjaft i karikuar dhe dëshiroj që të përfundoj detyrën time. Më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë, edhe pasi të kem folur me bordin drejtues. Klubi më ka qëndruar shumë pranë, por duhet të vlerësojmë edhe se çfarë është më e mira për të dyja palët".

Champions League

Gjysmëfinalet

SOT

Man.UTD-Barcelona (0-0)

NESËR

Çelsi-Liverpul (1-1)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›