E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo, "Lojtari i Vitit" në Angli

Sezoni i shkëlqyer i Kristiano Ronaldos u vlerësua në një ceremoni të organizuar të dielën në darkë, ku mesfushorit iu dha çmimi i "Lojtarit të Vitit" nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Angli. Mesfushori, i cili ka shënuar 38 gola në të gjitha aktivitetet në këtë sezon, mundi në këtë garë Fernando Torres, Stiven Xherard, Çesk Fabregas, Emanuel Adebajor dhe Devid Xhejms. Ky është viti i dytë radhazi që Kristiano Ronaldo fiton këtë çmim prestigjioz, ndërsa çmimin si "Lojtari i ri më i mirë" e mori Çesk Fabregas. Ronaldo nuk mori pjesë në ceremoni për shkak të impenjimeve me skuadrën e tij, por në ekranin gjigand të sallës u shfaqën pamjet e tij, duke marrë trofeun simbolik nga trajneri Aleks Ferguson. "Unë jam shumë i lumtur. Kur ti punon gjatë gjithë sezonit për të luajtur mirë, për të bërë diçka të mirë për skuadrën, duke kontribuar në rezultat e saj dhe në fund të sezonit nderohesh me këtë trofe, ndjehesh i nderuar dhe ke kënaqësi. Ky është një motivim për të vazhduar në këtë rrugë, për të punuar që të përmirësohesh. Jam i kënaqur, por ky trofe nuk është vetëm i imi, por edhe i shokëve të skuadrës, të cilët më kanë ndihmuar shumë gjatë këtij sezoni. Ata kanë meritë në golat e shënuar, pasi më kanë ndihmuar me pasimet e tyre", deklaroi futbollisti portugez. Ndërkohë, Çesk Fabregas e mundi Kristiano Ronaldon në garën për trofeun e "Lojtarit të ri më të mirë", duke lënë pas edhe Fernando Torres, Mikah Riçards, Gabriel Agbonlahor dhe Eshli Jang. "Jam shumë krenar, pasi është një trofe prestigjioz. Futbolli është një lojë kolektive dhe gjithmonë preferoj të fitoj trofe bashkë me shokët e skuadrës, por është gjithnjë diçka e veçantë kur merr tituj të tillë. Ia dedikoj atë shokëve të skuadrës, pasi nuk do ta arrija këtë fitore pa ndihmën e tyre", u shpreh lojtari spanjoll.

Skuadra e vitit

Devid Xhejms (Portsmuth), Bakari Sanja (Arsenal), Rio Ferdinand (Man Utd), Nemanja Vidiç (Man Utd), Gael Klishi (Arsenal), Stiven Xherard (Liverpul), Çesk Fabregas (Arsenal), Kristiano Ronaldo (Man Utd), Eshli Jang (Aston Vila), Emanuel Adebajor (Arsenal), Fernando Torres (Liverpul)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›