Saimir Tahiri gënjen gjykatën, nuk paraqitet në seancë gjyqësore
Shtyhet për të 21-n herë për shpifje ndaj nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së
Është shtyrë për të 21-ën herë dje gjyqi ndërmjet ministrit Genc Ruli dhe deputetit të Partisë Socialiste Saimir Tahiri, i akuzuar për shpifje. Ashtu si dhe në shumicën dërrmuese të seancave të shkuara, ka qenë Saimir Tahiri i cili u bë shkak për shtyrjen e seancës të së martës.
Një kërkesë e firmosur nga deputeti socialist, që u paraqit nga avokati i tij Plarent Ndreca në seancën gjyqësore të datës 18 dhjetor 2012 detyroi gjyqtarin Ervin Pollozhani të shtyjë për në janar seancën e radhës. Palët e përfshira në këtë gjyq, përkatësisht avokatët e të paditurit, Saimir Tahiri dhe paditësit Genc Ruli, qëndruan vetëm pak minuta në sallën e gjyqit, aq sa mjaftoi për të lexuar kërkesën dhe për të gjetur dakordësinë për datën e seancës së radhës.
Ajo çka habiti gjyqtarin dhe të pranishmit në sallën e gjyqit ishte arsyeja e shtyrjes e prezantuar në kërkesë. Sipas shkresës që mban firmën e Saimir Tahirit, detyrimi për të qenë i pranishëm ne mbledhjen e Komisionin Parlamentar të Ligjeve bën që ai të mungojë në seancën gjyqësore. Por procesverbali i djeshëm i mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, zbulon gënjeshtrën e Saimir Tahirit, i cili as në këtë mbledhje nuk ishte i pranishëm.
Preteksti
“Në të njëjtën datë, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë do të zhvillohet mbledhja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve për miratimin e tre ligjeve shumë të rëndësishme. Miratimi i tyre kërkon prezencën e të gjithë anëtarëve të komisionit e për këtë arsye, prania ime është e domosdoshme në këtë mbledhje në cilësinë e anëtarit të Komisionit dhe njëherësh nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste”, thuhet në kërkesën e paraqitur nga avokati i Tahirit.
Por kjo kërkesë dhe arsye është tërësisht e gënjeshtërt, pasi për asnjë moment gjatë së martës, datë 18 dhjetor 2012, deputeti Saimir Tahiri nuk ka qenë i pranishëm në Komisionin e Kuvendit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Veç dëshmive të kolegëve të Saimir Tahirit, anëtarë të këtij komisioni, edhe procesverbali i punimeve vërteton se arsyeja e paraqitur nga deputeti Tahiri për mungesën në seancën e djeshme gjyqësore nuk është veçse një pretekst. Në Procesverbal thuhet se në mbledhjen e datës 18 dhjetor ishin të pranishëm 17 deputetë dhe mungonin 9 të tjerë, ndër ta dhe Saimir Tahiri. Procesverbali zyrtar i Komisionit të Kuvendit, veç prezencës ka dhe diskutimet e bëra nga deputetët dhe aty nuk rezulton për asnjë moment që të ketë qenë i pranishëm deputeti Saimir Tahiri, i cili është dhe nënkryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Çështja gjyqësore
Padia u ngrit nga Genc Ruli pas zhvillimit të seancës plenare të Kuvendit të datës 13 shator 2011, gjatë së cilës Saimir Tahiri lëshoi një lumë akuzash kundër Ministrit Ruli, që nga ato për shkelje të ligjit, deri në akuza për zotërim aksionesh në kompaninë ACR, etj. Në padinë kundër deputetit Tahiri thuhet se deklaratat e deputetit socialist cenojnë reputacionin dhe për këtë qëllim kërkohet një shpërblim për dëmin jashtëkontraktor në masën 5 milion lekë të reja. Ndërkohë, pak pas padisë civile, Saimir Tahiri, në një emision televiziv u shpreh se nuk trembet nga gjyqet dhe paditë që ngrihen ndaj tij. Një deklaratë që mund të hidhet poshtë lehtësisht prej sjelljes së tij.
Si ligjvënës dhe person i cili duhet të jetë shembull i respektimit të ligjit, institucioneve dhe gjykatave duhet të jetë i pranishëm në seancat gjyqësore.
Ndërkohë, po për këtë çështje, gjatë muajit korrik të këtij viti prokuroria ka pezulluar çdo hetim ndaj Ministrit Genc Ruli. Pas muajsh hetime dhe shqyrtime të dokumenteve është vendosur që të pezullohet çdo hetim ndaj Genc Rulit, ish Ministër i Ekonomisë, aktualisht ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për akuzat dhe pretendimet e ngritura për abuzime të mundshme me detyrën.
Në Prokurorinë e Përgjithshme, menjëherë pas vendimit për pezullim hetimesh thanë se nuk ishte e vështirë për të marrë këtë vendim, pasi në asnjë prej shumë dokumenteve të shqyrtuara nuk është gjetur shkelje apo problematikë që të binte ndesh me legjislacionin në fuqi. Veprimet e Prokurorisë kanë nisur në fund të vitit 2010, kur përfaqësues të Partisë Socialiste depozituan në Prokurori dosjen ku pretendohej abuzimi i mundshëm me detyrën.