Raketa nga territori i Libanit mbi Izraelin

Për herë të parë që prej përfundimit të luftës në Liban në vitin 2006, Izraeli verior është goditur nga disa raketa që janë lëshuar nga territori libanez. Burime të ushtrisë izraelite i thanë BBC-së se katër raketa kishin rënë mbi territorin izraelit, por nuk kishte ndonjë të plagosur rëndë. Izraelitët thanë se ishin kundërpërgjigjur duke qëlluar mbi territorin libanez. Ky sulm me raketa pasoi njërën nga netët më intensive të ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës që ka hyrë në ditën e trembëdhjetë. Ushtria izraelite tha se kishte kryer 60 sulme ajrore gjatë natës, disa prej të cilave kishin në objektiv tunelet në afëri të kufirit mes Egjiptit dhe Gazës. Izraeli thotë se lëvizja militante palestineze, Hamas, i përdor këto tunele për të futur armë në Rripin e Gazës. Burimet palestineze thanë se gjatë këtyre sulmeve ajrore ishte shkatërruar një xhami.