E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rakida, fajtore për thashethemet ndaj Sarkozisë?

Dikur ishte ylli i kabinetit qeveritar të Presidentit të ri francez, Sarkozi. Bëhet fjalë për vitin 2007, menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale franceze. Sot është ndoshta njeriu që ai e ka marrë më shumë inat se të tjerët

Thuhet se Presidenti Sarkozi beson se ishte ministrja e tij e Drejtësisë, Rakida Dati, aktualisht eurodeputete, iniciatorja dhe zanafilla e një thashethemi të madh në lidhje me jetën private të çiftit të parë të Francës. Një thashethem, sipas së cilit edhe Sarkozi dhe Bruni kishin nga një të dashur. Ishte një thashethem që u përhap shumë nëpër blogje e sajte interneti e madje edhe në ndonjë gazetë franceze dhe angleze. Pak kohë më parë, Rakida ka humbur limuzinën, shoferin dhe tre truproje që i ka pasur deri më tani si ish-ministre, por edhe për shkak të lidhjeve të gjata miqësore që ka pasur me Presidentin e Francës. Ky i fundit i mohoi të gjitha thashethemet që qarkulluan për një kohë të gjatë në internet, duke i konsideruar si “idiotësi”, por thuhet se nuk ndenji duarkryq, por iu vu punës që të zbulonte se kush ishte burimi i tyre. Ajo që dihet është masa e rreptë që ka marrë ndaj ish-ministres Dati, aktualisht 44 vjeçe, natën që partia e tij pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet lokale të disa javëve më parë. Presidenti ndodhej në Pallatin Elize dhe po ndiqte situatën në televizion, kur zonjusha Dati u shfaq në ekranin e TV “France 2”, duke kritikuar strategjitë që ai kishte ndjekur gjatë fushatës elektorale dhe jo vetëm. Gjithmonë sipas zërave, me të parë ish-ministren e tij të bënte prononcime të tilla, Sarkozi u nxi nga inati dhe jo vetëm thjesht për shkak të kritikave, por dhe të faktit se ai dyshon që ish-ministrja e tij ka qenë personi që ka përhapur dhe amplifikuar të gjitha thashethemet në lidhje me të dhe bashkëshorten Bruni, dhe në përgjithësi në lidhje me martesën e tij. Thuhet se që në atë moment ai është ngritur dhe ka marrë në telefon shefin e policisë kombëtare për t’ia hequr Datit limuzinën që e shoqëron në çdo vend, si dhe truprojat që i kishte që nga koha kur ishte ministre e qeverisë. Dhe kjo heqje ka ndodhur brenda një ore. Vetë Dati ka mësuar për këtë gjë ndërsa ndodhej në studion televizive përmes një mesazhi telefonik të njërit prej truprojave që i ka thënë se i vinte keq, por duhet të largoheshin, sepse e kishin përfunduar misionin me të. Sapo ka dalë jashtë, Dati i ka telefonuar shefit të policisë duke i kërkuar që t’ia linte makinën dhe truprojat edhe një natë tjetër. Gjithsesi, të nesërmen gjithçka ka marrë fund. Ajo ka dorëzuar edhe numrin telefonik që i paguhej nga Ministria e Brendshme. Vetë Dati dy ditë më parë ka konfirmuar se i janë hequr makina dhe truprojat. Megjithatë, ajo shtoi se kishte qenë Presidenti ai që e kishte dhënë urdhrin drejtpërsëdrejti në këtë rast. Sipas asaj, fajtori ishte ministri i Brendshëm, një nga armiqtë e saj më të vjetër dhe mik i ngushtë i Presidentit.
Zonjusha Dati bëri histori në vitin 2007, kur mori postin e lartë të ministres së Drejtësisë, për faktin se ishte grua dhe myslimane nga një familje emigrantësh. Ajo iu prezantua Presidentit nga bashkëshortja e tij e mëparshme, Sesilia, e cila kur e prezantoi, i tha të shoqit që Rakida ishte njësoj si të kishte qenë e motra. Por marrëdhëniet e Datit me gruan e re të Presidentit, Bruni, sigurisht që nuk mund të ishin të mira. Madje, po sipas thashethemeve, kur të dyja kanë kaluar pranë dhomës së gjumit të çiftit presidencial, për të shkuar në një darkë që organizohej në pallat, Bruni i ka thënë Datit me ironi: “Do të të kishte pëlqyer që ta zije ti atë shtrat, apo jo”? Edhe pse Dati zbatoi me përpikëri urdhrat e Presidentit në lidhje me reformat në sistemin e drejtësisë, që nuk ishin aspak popullore në vend, Sarkozi me sa duket u lodh nga mënyra e Datit për t’u ekspozuar dhe për të bërë një jetë luksoze dhe me shumë dyshime për sa i përket moralit personal.
Ajo njoftoi se ishte me barrë në vitin 2008 me një person që ende sot është i panjohur dhe me të cilin solli në jetë një vajzë. Kështu, Sakozi e nxori nga kabineti, por gjithsesi i dha mundësinë që të ishte në një pozicion shumë të mirë si eurodeputete.

Megjithatë, që nga ajo kohë, marrëdhëniet e Presidentit me Datin janë ftohur shumë, aq sa thuhet se ata nuk komunikojnë fare, edhe për shkak se me sa duket ai ka vendosur që t’i dalë kundër.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›