Prifti që abuzoi me fëmijët e shurdhër për 24 vjet
At Lawrence Murphy ishte një njeri me një karizëm të veçantë dhe me aftësi të mëdha për t’u shoqëruar me njerëz të moshave të ndryshme. Ishte truppakët, por ishte shumë i gjallë, energjik dhe karizmatik si të gjithë irlandezët. Dhe një ndër aftësitë më të rralla ishte komunikimi i mirë që bënte në gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë. Për shumë nga ata që e kanë ndjekur gjatë meshave që i jepte përmes gjuhës së shenjave, ai ishte vërtet i mrekullueshëm dhe i rrallë dhe fjalët që përcillte ishin prekëse. Ai ishte mentor dhe lider shpirtëror për shumë djem që kishin probleme fizike dhe shpirtërore. Dhe pikërisht prej tij, djem të vegjël dhe të pambrojtur morën një mësim të rëndë nga jeta e atit, që në këtë botë ekzistojnë disa njerëz që e ngopin oreksin e tyre pervers pa menduar për dëmin që i shkaktojnë të tjerëve. At Murphy ishte një pedofil grabitqar, krimet e të cilit bëhen shumë më të rënda për faktin se u kryen mbi krijesa të pambrojtura e të pafuqishme, krijesa që Zoti ia kishte besuar t’i ruante e t’i mbronte me dashuri, besim dhe shpresë. Nxënësit në shkollën e Shën Xhonit në qytetin e Shën Francit, në Visonsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin të shurdhër. Ajo ishte një shkollë ku nxënësit mësonin dhe jetonin, pra kalonin gjithë kohën e tyre. Ndaj nuk kishte mundësi për të ikur dhe për t’iu shmangur priftit të ndyrë, që kishte shumë pushtet mbi ta. Gjithsesi, ai ishte i rrituri i vetëm që mund të komunikonte me fëmijët, ndaj të tjerët nuk do të kishin pasur kurrë mundësi që të komunikonin me ta dhe të kuptonin atë që po ndodhte. Për më tepër, ata nuk e kishin idenë se çfarë ishte seksi, sepse nuk merrnin asnjë lloj edukate seksuale e si pasojë, nuk e kuptonin se çfarë u bënte natën prifti. Disa nga fëmijët, mund edhe të mendonin se ata e meritonin një trajtim të tillë. Steven Geier u dërgua në shkollën e Shën Xhonit në moshën 8-vjeçare, pasi mbeti i shurdhër nga një temperaturë e lartë që kaloi. Ai nisi të qante kur prindërit e tij e lanë dhe u larguan dhe në vend të tyre ishte pikërisht at Murphy që i ofroi komfort. Por pas këtij komforti, prifti e kishte ndryshuar menjëherë sjelljen, duke vazhduar si zakonisht abuzimin me këtë fëmijë të pambrojtur. Vetë fëmija, që tani është rritur, rrëfen se kishte qenë dëshmitar i shumë abuzimeve ndaj fëmijëve të tjerë në shkollë. “Murphy ishte i fuqishëm dhe ishte e vështirë që ta kundërshtoje. Nëse vendoste për diçka nuk mund t’ia ndryshoje mendjen. Në atë shkollë ishte si të ishe në burg. Unë jam ndier konfuz kur më prekte Murphy”, rrëfen ish-nxënësi në një intervistë për shtypin katër dhjetëvjeçarë më pas. “Ishte diçka e tmerrshme”, thotë një viktimë tjetër. “Sjellja e priftit më bënte vazhdimisht që të përjetoja tërbim dhe turp”. Një tjetër fëmijë i kësaj shkolle rrëfen se kur i duhej që të shkonte në shkollë, pasi kishte bërë disa pushime te prindërit, ndihej i tmerruar dhe fshihej nën krevatin e tij, me shpresën se prindërit nuk do ta gjenin. Prindërit nuk e kuptonin se çfarë kishte që nuk shkonte me të birin dhe përse ai ishte gjithmonë i tmerruar nga ideja e ritmit në shkollë. Sot, nëna e Arturit, në moshën 89-vjeçare thotë: “Unë nuk e dija gjuhën e shenjave të tim biri. Kur ke një fëmijë të shurdhër, të gjithë të rekomandojnë që ta çosh në një shkollë të posaçme për të shurdhët, në të cilën ata do të mësojnë të komunikojnë me shenja. Ne kërkuam një vend të lirë e të mbarë dhe nuk mund ta mendonim kurrë që e kishim çuar djalin tonë në një shkollë të tillë”. Djali i saj, në vitin 1963, kur ishte në shkollë, ishte 13 vjeç, ruan ende një foto ku ka dalë me 15 shokë të tij dhe priftin në mes. Sipas tij, 11 nga djemtë në foto ishin abuzuar seksualisht. Një tjetër aspekt i këtyre abuzimeve ishte fakti që prifti e bënte gjithçka të fshehtë dhe fëmijët kujtonin se ata ishin të vetmit që po u ndodhnin gjëra të tilla. Vite më vonë kur janë takuar me shokët e shkollës e kanë kuptuar se abuzimi fizik dhe seksual kishte qenë pjesë e jetës së gjithsecilit.
Askush nuk e di me saktësi se sa djem janë abuzuar në këtë shkollë nga prifti me fytyrë të mirë e me zemër të zezë gjatë 24 viteve që ai drejtoi këtë shkollë, por mund të bëhet fjalë për 20 nxënës. Pjesa më e madhe nuk kishte hapur gojë për dhjetëvjeçarë me radhë. James Smith, sot 62 vjeç, ish-nxënës në këtë shkollë, kishte mbajtur gjithçka për vete për dhjetëra vjet dhe vetëm së fundi, kur dolën zërat e parë për abuzime, shpërtheu në lot: “Më kujtohet që luaja basketboll në oborrin e shkollës dhe zakonisht vinte një djalë që më thoshte ta lija lojën, sepse më kërkonte at Murphy. Unë refuzoja, sepse e dija se çfarë më priste, por jo gjatë ,sepse ai bëhej i egër. Atëherë shkoja në zyrën e tij dhe ai niste të më ngacmonte seksualisht. Këto nuk ia kisha thënë kurrë asnjeri dhe gjithmonë kisha menduar se isha i vetmi”. Por djem të tjerë kishin folur. Mes dokumenteve të zbuluara së fundi nga gazeta “New York Times” ndodhet edhe një rrëfim i shkruar në vitin 1974 nga një djalosh i ri që e kishte lënë shkollën katër vjet më parë dhe ishte bërë gati të shkonte të dëshmonte në gjykatë kundër abuzuesit të tij. Ai ishte aq i vendosur për ta bërë një gjë të tillë, sa ishte i gatshëm që të jepte pa asnjë ndrojtje përshkrimin fizik të penisit të priftit dhe të thoshte gjithë të vërtetën e takimeve intime me të. Në këtë letër ka rrëfime shumë të dhimbshme abuzimesh e keqtrajtimesh seksuale, që janë të rënda për veshin e gjithkujt dhe të duket e pabesueshme se çfarë guximi ka pasur ky djalë për të hedhur në letër histori kaq të dhimbshme.
Në vitin 1974, Murphy u hoq më në fund nga drejtimi i shkollës të cilën e drejtoi që nga viti 1950.
#