Takimi për vizat, Fajon: Propozimi në Qershor

Eurodeputetja Tanja Fajon deklaroi dje pas takimit konsultativ se propozimi për vizat do të merret në fillim të qershorit
BRUKSEL - Vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave në Shqipëri pritet të merret në tetor, ndërkohë që brenda kësaj periudhe vendi duhet të plotësojë kushtet ende të mbetura pa realizuar.
Ndërsa propozimi për këtë çështje pritet të merret vetëm në fillim të muajit qershor. Me këtë deklaratë ka dalë eurodeputetja Tanja Fajon, pas takimit konsultativ të zhvilluar pasdite në Bruksel, ku u analizua zbatimi nga Shqipëria dhe Bosnja i kritereve për liberalizimin e vizave.
"Pres që Komisioni Europian të shpërndajë propozimin legjislativ për të dy vendet jo më vonë se fillimi i qershorit. Por shpejtësia e mëtejshme për finalizimin e procesit është ende në duart e autoriteteve të këtyre dy vendeve.
Ata duhet të sigurojnë në kohën e duhur se ata janë në gjendje t'u përgjigjen shqetësimeve që mbeten, veçanërisht për zbatimin e reformave në fushën e ligjit, rendit e sigurisë së brendshme", - tha Fajon.
Eurodeputetja tha se Komiteti për Çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlament ka mbështetur liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, si dhe trajtimin si çështje "urgjente" sikundër është angazhuar dhe nëntorin e kaluar.
"Bosnja, veçanërisht meriton sinjal pozitiv, tani më shumë se kurrë afër Brukselit", citohet në komunikatën e raportueses Tanja Fajon. Deklarata zyrtare e Tanja Fajon u publikua pas takimit konsultativ për të analizuar zbatimin nga Shqipëria dhe Bosnja të kritereve për liberalizimin e vizave.
Takimi mes Komisionit Europian dhe Komitetit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian shqyrtoi një raport mbi zbatimin e udhërrëfyesit për këtë çështje. Një takim i ngjashëm u zhvillua dje me Komitetin për Ballkanin perëndimor, ku përfaqësohen vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Raporti për Shqipërinë vlerësonte se vendi ka përmbushur plotësisht kriteret në bllokun e parë të udhërrëfyesit, që ka të bëjë më sigurinë e dokumenteve, në dy blloqe të tjerë vlerësohej se objektivat përgjithësisht ishin përmbushur, ndërsa në një bllok tjetër, Shqipëria ka arritur të plotësojë shumicën. Vlerësimi për Bosnjën ishte se ajo ka përmbushur objektivat në tre prej katër blloqeve.
Komisioni europian pritet të bëjë propozimin e tij nga fundi i muajit maj dhe një vendim paraprak të jepet pikërisht në fillim të qershorit, ashtu siç u shpreh edhe eurodeputetja Tanja Fajon. Vendimi përfundimtar parashikohet të merret në tetor me mundësinë që liberalizimi i vizave të hyjë në fuqi brenda vjeshtës.