Bashkimi PD-PDR, lëvizjet konkrete në Shtator
TIRANË- Pasi të gëzojë 30 ditët e para në karrigen e numrit dy të qeverisë, Genc Pollo dhe Partia e tij Demokrate e Re, pritet që në Shtator të fillojnë negociatat konkrete për të bërë hapin e madh pas gati 8 vjetësh, që kur braktisën Partinë Demokratike për mospajtim me politikën e Sali Berishës. Ideja e bërë publike kohë më parë nga nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, gjatë një interviste për “Shekullin”, do të marrë udhë në shtator. Pollo, Shehu e të tjerë reformatorë, po e shohin opsionin më të mundshëm të rikthimit të tyre nën çatinë blu. Rruga e bashkëpunimit shumë e ngushtë mes Berishës e Pollos, si në selinë e Presidencës, në pozicionet e Kryetarit të Shtetit dhe Këshilltarit, apo edhe në opozitë deri në vitin 2000, kryetar i PD-së dhe nënkryetar i saj, është rikthyer sërish në pozicionin e Kryeministrit dhe Zv/kryeministrit. Kjo lëvizje e Berishës duket se nuk do të sjellë shumë xhelozi brenda radhëve të grupit parlamentar demokrat, apo edhe në vetë strukturat e PD-së. Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu shpjegon për gazetën se tashmë nuk ka asnjë pengesë mes dy partive dhe se gjithçka do të shkojë drejt konkretizimit me fillimin e sesionit të ri të punës në shtator. “Nuk ka asnjë lloj pengese, diference për realizimin e këtij opsioni. Nuk ka asnjë ndarje mes PD-së dhe PDR-së, tashmë. Besoj se këtë mendim kanë edhe të PD-së. Ka një bashkëpunim të gjithanshëm, i cili më vonë mund të konkretizohet edhe në forma organizative të reja tonat që do t’i shërbejë fushatës së re elektorale, dhe fitimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”,- tha dje Shehu. Nënkryetari i PDR-së theksoi se reformatorët e shohin PD-në si të vetmen partner me të cilin i lidhin mjaft gjëra. “Padyshim që emërimi i Genc Pollos në postin e Zv/kryeministrit është një sinjal i fortë i afrimit politik të mëtejshëm mes dy forcave tona. Ju përmendët fjalën shkrirje apo bashkim. Unë nuk mohoj asnjë nga zgjidhjet politike që do të gjinden në të ardhmen, duke përfshirë edhe bashkimin midis nesh që mbetet një opsion substancial dhe i rëndësishëm për të ardhmen”,- tha Shehu. Dy ditë më parë edhe Zv-kryeministri, Genc Pollo, njëkohësisht Kryetar i PDR-së, në një intervistë televizive deklaroi se mundësia e bashkimit mes dy partive është një opsion i mundshëm, por nuk bëri të ditur ndonjë detaj konkret lidhur me kushtet që reformatorët mund të kenë kërkuar për t’iu bashkuar sërish strukturave të selisë blu.