Betimi i ministrave, mungojnë Berisha e Topalli
TIRANË- Kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu, nënkryetari i Komisionit parlamentar të Arsimit, Gëzim Karapici dhe anëtarët e kabinetit të Presidentit të Republikës, ishin të vetmit që morën pjesë dje në ceremoninë e betimit të ministrave të rinj. Për herë të parë dje, nuk kanë qenë të pranishëm kryeministri Sali Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Edhe pse ftesa për këta të fundit ka qenë nominale, asnjëri prej tyre, duke justifikuar mospraninë me axhendën e ngarkuar, nuk morën pjesë në një ceremoni që në fakt kishte lidhje me qeverinë. Dje, nën një ceremoni të thjeshtë dhe pa shumë minuta të tejzgjatura u betuan Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, Ministri i Arsimit, Fatos Beja dhe zv-Kryeministri, Genc Pollo. Një shtrëngim duarsh me Presidentin dhe stafin e tij, ishte e gjitha ç’ka ofroi ceremonia e djeshme, ndërkohë që vetëm 30 minuta më vonë, “të betuarit” e qeverisë morën pjesë në mbledhjen e radhës në Kryeministri. Kësaj here, Genc Pollo ka qëndruar krah kryeministrit Sali Berisha, duke e parë në një pozicion tjetër tashmë karrigen e Ministrit të Arsimit, ku ishte ulur nga dje Fatos Beja, ndërsa Ministrja e Shëndetësisë është përshëndetur me të gjithë anëtarët e kabinetit. Gjatë kësaj mbledhje janë shkëmbyer edhe batuta mes kryeministrit Sali Berisha dhe Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, e cila është shprehur se do të ndihej më tepër e gëzuar në rast se në qeveri do të kishte edhe më shumë femra. Ndërsa Kryeministri ka siguruar se një gjë e tillë do të ndodhë në të ardhmen.