E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha- Godos: Reformo sistemin e Shëndetësisë

 

Kryeministri Sali Berisha atakon bluzat e bardha. I kërkon Godos që të ketë parësore luftën kundër korrupsionit.

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha nuk ishte dje i pranishëm në Presidencë gjatë ceremonisë se betimit, megjithatë në mbledhjen e qeverisë ka qenë tepër aktiv kundrejt dy ministrave të rinj e veçanërisht ndaj dikasterit të Shëndetësisë, që e ka atakuar jo pak. Në mbledhjen e saj të parë, Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo ka marrë udhëzimet e para nga kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit i ka kërkuar që të reformoje sistemin shëndetësor. “Ne kemi probleme madhore në sistemin shëndetësor. Sërish në këtë sistem, kemi punonjës bluzëbardhë, të cilët shërbimin publik, të garantuar me Kushtetutë e Ligj si shërbim falas, e shesin si shërbim privat të tyre, për të mbushur xhepat e llogaritë bankare dhe duke ndërtuar mirëqenien e tyre mbi fatkeqësitë e tjetrit. Lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë duhet të jetë përparësi për ju. Unë ju garantoj se qeveria do t’ju japë të gjithë mbështetjen e nevojshme për t’i dhënë përgjigjen e merituar korrupsionit aty ku ndodhet dhe pa asnjë hezitim për ata të cilët bluzën e bardhë, betimin e Hipokratit, parimet e humanizmit dhe fisnikërinë e madhe të këtij profesioni, marrin përsipër ta nxijnë dhe ta përlyejnë në mënyrën më të papranueshme”,- tha Berisha. Për këtë arsye, ai i ka kërkuar Ministres së re të Shëndetësisë që të mbajë një qëndrim të hekurt ndaj rasteve korruptive. “Ne nuk detyrojmë dhe nuk pengojmë asnjë që do të pasurohet me djersën e tij në sektorin privat. Kjo mundësi do të jetë e hapur për ta, por ne nuk mund të pranojmë në mënyrë kategorike që shërbimi publik, i garantuar me taksat dhe djersën e qytetarëve shqiptarë, t’u shitet si shërbim privat për pasurimin e një apo tjetër individi, që klinikat, laboratorët të shkojnë drejt rrënimit vetëm e vetëm për t’u fuqizuar sektori privat dhe kjo duhet të marrë përgjigje të shpejtë e të merituar”,- tha ai. Duke garantuar mbështetjen e qeverisë, Berisha i sugjeroi Godos që lufta kundër korrupsionit të jetë parësore. “Ju garantoj për mbështetjen e qeverisë dhe për çdo përpjekje, që në Spitalin “Nënë Tereza” dhe në çdo spital të vendit, të mos mungojë asgjë. Por kjo kërkon që luftën kundër korrupsionit ta bëjmë çështje të parë të të gjitha çështjeve. Kushdo që dëshiron, mund të punojë në klinikën e tij. Ne i respektojmë për vendimin e tyre dhe do ta mbështesim sektorin privat. Por nëse vendi mbetet bosh, unë i garantoj shqiptarët se do të marrim specialistë nga kudo, me pagat më të larta, për të mbajtur sektorin publik dhe për të përmbushur Kushtetutën e vendit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›