E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: 11 maji do të jetë fitorja më e madhe historike e PS-së

TIRANË, 4 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se “në 11 maj nuk jemi në garë për 71 mandate sepse ato i kemi, por këto nuk mjaftojnë për të pasur siguri për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian”.

Në takimin përmbyllës elektoral në Shkodër, Rama u shpreh se zgjedhjet e 11 majit nuk janë zgjedhje të zakonshme.

“Në 11 maj ne nuk jemi në garë për 71 mandate. Ne 71 mandate i kemi tani, por 71 mandate mjaftojnë për të qeverisur për karriget e parlamentit, për deputetët, por nuk mjaftojnë për të pasur siguri që ne do t’i mbyllim në 2027 negociatat me BE-në”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “atje negociohen çerek milionë faqe, mbi 250 mijë fletë që janë kritere, rregulla, masa, ligje etj”.

“Duhet të biem dakord me ta për çdo gjë dhe pasi biem dakord atje duhet të vijmë këtu dhe t’i bëjmë, të shkojmë në parlament dhe të bëjmë ligjet. Për këtë duhet të flasim me kënetën”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri shprehu bindjen se në 11 maj do të jetë fitorja më e madhe historike e PS-së.

“Këneta e ka nisur që tani këngën, mbajeni mend në 11 maj në darkë do të thotë ‘fituam’, në 12 maj në mëngjes do të thotë ‘qëndroni fort te kutitë’, në 12 maj në darkë nuk do të flasë, në 13 maj në mëngjes do të thonë ‘na i vodhën, është vjedhja më e madhe e historisë, sepse kjo do të jetë fitorja më e madhe historike e PS-së”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›