E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama ‘lakuriq’ para publikut

Me një ceremoni të thjeshtë u çel të mërkurën mbrëma në Pallatin e Kongreseve, Panairi i 14-të i Librit “Tirana 2011”.

Të pranishëm gjatë ceremonisë së hapjes së panairit ishin kryetari i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi; ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi; kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha; kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri si dhe Ermira Mehmeti, deputete në Parlamentin e Maqedonisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse para të pranishmëve dhe dashamirësve të librit, Basha vlerësoi panairin e librit si “stolia” më e bukur e Tiranës, duke shprehur angazhimin për ta bërë Tiranën një qendër të letërsisë shqipe dhe frymëzim maksimal për autorët që shkruajnë shqip. Sipas tij, panairi i librit nuk është vetëm një takim mes botuesve, autorëve dhe lexuesve, por është një festë e përvitshme dhe e përzemërt, pasi nuk mund ta imagjinojmë jetën tonë personale dhe sociale pa librin. Ndër të tjera, Basha vuri në dukje një risi në këtë panair.

“Është shenjë shumë e mirë rikthimi i trendit të ri. Ndërsa ndër vite shkrimtarët i janë drejtuar politikës, duket se në këtë panair për herë të parë kemi një trend revers, ku politikanët i janë kthyer librit”, theksoi Basha. Pas një vizite në të gjitha stendat e shtëpive botuese, Basha ndaloi edhe te shtëpia botuese “Dudaj”, ku në mesin e librave të tjerë ishte dhe libri i Edi Ramës, “Kurban”. Pyetjes në ishte i interesuar të blinte librin e kryetarit të opozitës, Basha iu përgjigj: “Më vjen mirë që pas kaq shumë kohësh politikanët i janë rikthyer librit dhe duke pasur parasysh kontekstin në të cilin është shkruar libri, i uroj Ramës të shkruajë sa më shumë”.

Po në këtë ditë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama promovoi librin e tij “Kurban”.

Në një fjalim të shkurtër, lideri i opozitës rrëfeu se kishte filluar ta shkruante këtë libër në muajin korrik, pikërisht kur vazhdonte numërimi i votave për Bashkinë e Tiranës. E shkruajta këtë libër, tha Rama, si për të shlyer një borxh ndaj nënës, fëmijëve, e gruas së tij Linda, të cilëve ua dedikon.

“Nëse çka nisi si një sprovë përballë vetes, brenda katër mureve të nxehtë të korrikut, u bë libri që keni sot në dorë, kjo i detyrohet së pari Lindës, që s’më la asnjëherë të ndalesha nga droja prej asaj që shkruaja”, komentoi Rama.

Duke falënderuar të gjithë ekipin që punoi me të për librin të tij të parë, Rama deklaroi se me botimin e këtij libri i duket se ka dalë publikisht lakuriq, ndërsa nuk mungoi as batuta, “ju e dini se nuk e kam për herë të parë...”, shoqëruar me të qeshura nga salla.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›