E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: 21 janari i sotëm, fillimi i shpresës. Drejtësia do të vihet në vend

Share

Gjatë homazheve të kryera me rastin e 21 janarit, ka folur edhe kreu i PS-së, Edi Rama, që ka thënë se kjo ditë është një ditë shprese për drejtësi dhe për të ardhmen. Më poshtë një pjesë e fjalimit të Ramës.

“Udhëtimet ngushëlluese në katër cepa të Shqipërisë, tek familjet e katër viktimave, ishin udhëtime shumë të dhimbshme, në ato familje të varfra të Shqipërisë. Familje, si të zgjedhura enkas nga një dorë vrastare,e për tu çuar një mesazh me plumb familjeve nga jugu në veri, nga fshati në qytet.

Mesazh vajzave dhe nënave, grave të sapomartuara, që u veshën me të zeza nga pushkët e qeverisë. Mesazh djemve dhe çupave, si Ana, vajza e Ziver Veizit, sytë e të cilës bënë xhiron e botës, nga dhimbja. Mesazh të gjitha familjeve të thjeshta shqiptare, që të ulin gjunjët dhe të gjunjëzohen para kësaj qeverie, për të mos bërë zë. Mesazh që qeveria të merr ctë dojë, ëndrrat, dinjitetin, shpirtin dhe të merr edhe jetën, nëse ja sjell në majë të hundës, dhe as e ndal kush dhe as e dënon kush.

Kjo, kur protestuesit në Europë djegin dhe shkatërrojnë Athinën, Londrën, Parisin, Romën, për të drejtat e tyre dhe qëllohen vetëm me ujë dhe me plumba kallçuku, në rastin më të keq. Por, jetën ua ruan si gjënë më të shtrenjtë.

Dhe, në rastet më ekstreme, kur një polic për tu vetëmbrojtur, i merr jetën një protestuesi, ministri i Brendshëm dorëhiqet, kryeministri i kërkon ndjesë popullsisë dhe premton hetimet dhe përmirësim të situatës, jo si kryeministri shqiptar.

Në Shqipëri qeveria nuk ka duar të përkëdhelë duart kockë e lëkurë të nënës së Hekuran Dedës, e cila ka zbritur në një fshat të Tiranës nga varfëria. Ja quajtën djalin shtatlartë dhe krenar, bandit dhe kokëpalarë. Ashtu u ndje edhe nëna e Aleksit, e cila ngriu kur dëgjoi Saliun. Motrat dhe vëllezërit emigrant të Faikut, lëkundeshin dhimbjesh, duke mbajtur nënën buzë varrit të të birit.

Qeveria nuk ka këmbë dhe sy për të parë ky jetojnë qindra familje shqiptare, të mbytyr nga varfëria dhe nevojat të panumërta. As vesh nuk ka qeveria për të dëgjuar kërkesat e fëmijëve që nuk shkojnë dot në shkollë dhe që nuk marrin dot dhurata për festa dhe në vend të lodrave kanë gurë.

Qeveria ka pushkë, që vret, çan kafka, sakaton, sepse thotë bë si them unë, ndryshe të pret belaja. Pasurohet mbi varfërinë tonë, vjedh e bazuar mbi votën e vjedhur. E ne, fare as të mos mundohemi, sepse me ata nuk ka shaka, nuk ka shpresa.

Në këto dy vjet janë kryer eksperimente për ta kthyer vjedhjen dhe shkeljen e të drejtave, dhunën ndaj qytetarëve dhe shtypit, si një gjë të zakonshme. Ndërsa zgjedhjet ardhshme do të jenë prova gjenerale e projektit ogurzi: ose kthimin e Shqipërisë të kontrolluar nga pushteti, ose futja e Shqipërisë në rrugën historike.

Një vit pas vrasjes barbare unë dua tu them megjithatë, se ne nuk jemi vetëm në kërkimin e drejtësisë. Ne nuk jemi në mëshirë të fatit. Drejtësinë e kërkon Shqipëria, por e kërkojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, me në krye SHBA-atë, që kanë angazhuar agjencinë më të madhe të botës, FBI-në, për të zbardhur 21 janarin. Pa mbështetjen e SHBA-së, Shqipëria nuk do të shihte asnjë hetim për 21 janarin.

Vrasësi i 21 janarit, çoi njeriun hije të tij, duke çuar fotografinë e vrasësit në familjen e Faik Myrtajt, madje premtoi ta vrasë atë. Por, jam i bindur se 21 janarin e ardhshëm, drejtësia do të vihet, sepse provat e FBI-së do të hedhin dritën që nuk mund të shuhet në asnjë mënyrë nga drejtësia e korruptuar. Prandaj, shpreh një mirënjohje të thellë ndaj SHBA-së dhe ndaj ambasadorit Aleksandër Arvizu.

Në orët e para të kësaj dite pimë një kafe me vëllezërit e Hekuran Dedës, njerëz të ndershëm dhe të varfër, ndërkohë që ai që u kërkoi të priste Berishën në shtëpi, i ka paditur për tu kërkuar 5 milionë lekë, për shpifje.

Lajmi i ambasadorit amerikan për hetimet e FBI-së, u ka dhënë shpresë atyre se drejtësia do të vihet në vend, u ka dhënë mbrapsht shpresën e rifillimit të jetës së tyre, pas vënies së drejtësisë për Faikun.

Të dashur familjarë të katër dëshmorëve të 21 janarit, të dashur të plagosur dhe të rrahur për shkak të demonstratës së 21 janarit, kjo e sotmja është një ditë shprese dhe si të tillë duhet ta jetojmë të gjithë së bashku. Sepse ju nuk jeni vetëm, Shqipëria nuk është vetëm në rrugën e saj të mundimshe. Le të qendrojmë bashkë në vlerat perëndimore, pa e humbur drejtëpeshimin dhe shpresën. Atdheu ynë do të jetë një vend më i mirë për shqiptarët, pas vënies së drejtësisë për 21 janarin.”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›