Policia prangos protestuesin e PS-së për sherrin në trafik
TIRANË – Përplasja mes një drejtuesi mjeti nga Tirana dhe një simpatizanti të PS-së ka përfunduar në ushtrim dhune dhe prangosjen e këtij të fundit. Policia e Tiranës bëri të ditur se ditën e mërkurë në mbrëmje, rreth orës 17:00, në bulevardin “Zogu I”, në afërsi të Stacionit të Trenit, shtetasi Arben Simoni, 41 vjeç, me banim në Lezhë, është konfrontuar me shtetasin Përparim Vladi, 41 vjeç, banues në Tiranë. Sipas saj, “ky konfrontim ka ndodhur në momentin kur Simoni, së bashku me një grup personash përkrahës të subjektit politik Partia Socialiste, po përgatiteshin për t’u nisur gjatë bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’”. Alma Katragjini sqaron se “gjatë këtyre momenteve, shtetasi Përparim Vladi ka qenë duke qarkulluar me automjetin e tij tip “Benz” në bulevardin “Zogu I”, ku është goditur papritur me grushte e sende të forta nga shtetasi Arben Simoni, duke e plagosur lehtë atë. “Arben Simoni u ndalua në Komisariatin e Policisë Nr. 3 në Tiranë, ndaj të cilit po kryen veprimet procedurale”, - thonë burimet policore, sipas të cilave, “materialet do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Plagosjes së lehtë me dashje”.
13 Maj 2010