E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama “kërcënon” Berishën: Nuk do të njoh zgjedhjet

“Sali Berisha të heqë dorë se mund të grabisë mandatin e 9 në Fier, nëse nuk do që Partia Socialiste të mos njohë zgjedhjet. Është e patolerueshme që kjo palo qeveri në formim e sipër, ta nisë me një grabitje të kësaj përmase. Sali Berisha po vijon maskaradën e nisur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Do të veprojmë, për të mos lejuar që vota të cenohet dhe vullneti i popullit sovran të cenohet, ne do të veprojmë dhe do të mbrojmë. Ka pasur ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe rezultati ka deformime. Por ne do ta provojmë këtë”, theksoi Rama, nga selia rozë, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie. 

Duke e akuzuar kryeministrin Sali Berisha për ndërhyrjen në procesin zgjedhor, Rama deklaroi se atij duhet t'i vijë turp për të gjitha masat represive që pushteti i tij po merr në të gjitha qarqet ku ka fituar Partia Socialiste, masa për largime nga puna.  Edhe gjatë kësaj konference, Rama ka kundërshtuar marrëveshjen midis Berishës dhe Metës, duke e vlerësuar si një aleancë mëkatarësh.

Ai ka mohuar që t'i jetë bërë ftesë Ilir Metës për të qenë kryeministër i ardhshëm, deklaratë e bërë nga kreu i LSI-së gjatë një interviste për mediat. Kreu socialist nuk ka dhënë shenja se mund të largohet nga posti i kryetarit, ndërsa ka theksuar se plani për këtë parti do të vijojë më tej, si një alternativë qeverisëse. “Partia Socialiste do të shkojë përpara për t'u bërë një alternativë qeverisëse. Ne jemi forca e parë politike në vend. Ne jemi shtëpia e madhe e gjithë progresistëve, jo vetëm për ata që janë brenda Partisë Socialiste, por edhe ata që u nëpërkëmbën nga Ilir Meta, të cilët besuan tek projekti i tij”, tha më tej Rama.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›