E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Angazhimi ynë, 50% e këshilltarëve në bashki e komuna do jenë femra

SHKODER - Partia Socialiste zhvilloi sot në Shkodër konferencën për prezantimin e programit “Për një rilindje shqiptare”, në fokus të së cilës ishte barazia gjinore dhe pjesëmarrja e grave në jetën publike. Kryetari i PS-së, Edi Rama, theksoi vendosmërinë e opozitës për të rritur rolin dhe pjesëmarrjen e gruas në politikë.

“Të hapim një rrugë të re, ku përmes politikave të reja të barazisë gjinore të rritet roli dhe pjesëmarrja e gruas në politikë, në përfaqësimin e popullit sovran, qoftë në parlament, qoftë në qeverisjen vendore, në administratën publike.”- u shpreh Rama.

Lideri i PS-së vlerësoi punën e Forumit të Gruas Socialiste për ndërtimin e programit të detajuar, që siç tha ai, “nuk është thjesht një program në funksion të fitores së zgjedhjeve, por për ta kthyer fitoren në mundësi për të gjithë”.

Më tej Rama theksoi se opozita është e angazhuar që të nxisë pjesëmarrjen e gruas në jetën publike, në mënyrë që të nxitet edhe barazia gjinore ne jetën shoqërore.

“Jemi të bindur se ka ardhur koha për të marrë një angazhim konkret, 50% gra këshilltare në bashki dhe komuna. Eksperienca e ka provuar që funksionon dhe funksionon shumë mirë. Në marrjen në punë në shërbimin publik të grave dhe vajzave të mos ketë diskriminim. Të shtojmë numrin e grave dhe vajzave në përfaqësim, në administratën publike, të nxisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në sipërmarrje dhe të ndërtojmë një politikë të posaçme për të luftuar papunësinë femërore. Për ne do të jetë një nga objektivat kryesore të mirëqeverisjes pas 23 qershorit.”- deklaroi Rama.

Lideri i opozitës theksoi se programi i PS-së parashikon përfitim nga barrëlindja për çdo nënë, pavarësisht faktit nëse është apo jo në marrëdhënie pune.

“Zotimi ynë është që çdo nënë e re shqiptare do të përfitojë nga barrëlindja edhe kur është e papunë, sepse për ne fëmijët e këtij vendi në barkun e nënës janë fëmijë me të drejta të barabarta në raport me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”- tha Rama. 

PROGRAMI I PS-se
"Gratë dhe vajzat janë ende shumë më të kërcënuara se burrat nga përjashtimi. Gratë dhe vajzat janë shumë më të diskriminuara edhe në tregun e punës: kur e gjejnë një punë, për punë të barabartë, paguhen më pak se burrat.
Në vendimmarrjen politike, gratë dhe vajzat janë ende një pakicë. Ne socialistët jemi shembulli i rritjes së pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje dhe garantojmë se siç kemi vepruar për barazi gjinore brenda partisë, do të veprojmë energjikisht për barazi gjinore në qeverisje, në administratën publike e shtetërore dhe në jetën shoqërore në tërësi.
Për ne, barazia gjinore nuk është thjesht dhe vetëm një vlerë morale e shoqërisë, por edhe rrugëzgjidhja për përballimin e sfidave demografike, forcimin e demokracisë dhe rritjen e mirëqënies së familjeve shqiptare.
Gjykatat raportojnë se çdo ditë, dy gra kërkojnë mbrojtje të menjëhershme për shkak të dhunës ndaj tyre. Ne do të kërkojmë rritjen e masave ndëshkimore kundër dhunës ndaj grave.
Ne do të luftojmë për arritjen e barazisë gjinore në tregun e punës, do të zhdukim diskriminimin, segregimin dhe segmentimin gjinor në pagat e shpërblimet dhe do të rrisim fleksibilitetin për prindërit, sidomos për nënat. Do të nxisim punësimin nëpërmjet lehtësimit të barrës fiskale për sipërmarrësit që punësojnë gra dhe vajza të papuna. Gratë do të paguhen me pagë jo më të ulët se burrat. Ne do të mbrojmë gratë dhe vajzat nga shfrytëzimi ekonomik e seksual dhe trafikimi, nëpërmjet masave ligjore, politike dhe ndëshkuese."

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›