E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal tjetër në Itali, 70% e futbollistëve vënë baste

ROME - Italia vijon të mbetet problematike sa u takon basteve. Nuk është thjesht çështja e trukimeve që e ka nxirë futbollin italian, ku nuk kanë munguar arrestimet dhe dënimet, por një sondazh e bën futbollin e vendit fqinj si më pak të besueshmin.

Kjo sepse 70% e futbollistëve në Itali vënë skedina, pra vënë baste. Prokurori i Kremonas, Roberto Di Martino, i cili po heton prej muajsh një seri ndeshjesh të dyshuara, thekson se një prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë ka rrëfyer se 2/3 e futbollistëve në Itali vendosin baste. Sipas Di Martinos, ndoshta kjo është një shifër e ekzagjeruar, por ai shton se kjo është një e dhënë për të treguar se sa i përhapur mbetet ky fenomen në futbollin italian.

Ndërsa një ish-futbollist italian, që ka luajtur në Serinë A pohon se shifra e përmendur nuk është e vërtetë. Ai thotë se futbollistë amatorë, apo në nivele inferiore të kategorive të ndryshme edhe mund të vënë baste, por jo profesionistët, mund të numërohen me gishtat e dorës ata që e bëjnë këtë. 

(er.nu/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›