Rama: Asnjë transparencë për marrëveshjen me Greqinë, vetëm arrogancë dhe papërgjegjshmëriNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shpjegoi dje arsyet se pse është dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshja për ndarjen e kufijve ujorë me Gre
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rama: Asnjë transparencë për marrëveshjen me Greqinë, vetëm arrogancë dhe papërgjegjshmëriNga TemaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shpjegoi dje arsyet se pse është dërguar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshja për ndarjen e kufijve ujorë me Greqinë.
“Do të ndalem te marrëveshja e kufijve detarë si një shprehje tjetër e nivelit mizerabël të moralit dhe të etikës qeverisëse, moral dhe etikë që janë deformuar thelbësisht për shkak të atyre interesave, për të cilat fola më lart, për të cilat kemi folur dhe do të flasim përditë e me më shumë forcë. Asnjë transparencë dhe vetëm arrogancë dhe papërgjegjshmëri përballë diskutimesh dhe konkluzionesh konkrete të ekspertëve të fushës. Diskutime dhe konkluzione që nxjerrin në pah se bëhet fjalë për një marrëveshje, e cila bie në kundërshtim me interesin kombëtar dhe kjo është arsyeja pse dhe ne u bëmë dhe nismëtarë të një ankimimi në Gjykatën Kushtetuese për ta çuar në hullinë e duhur këtë çështje. Duke kërkuar nga Gjykata më e lartë e vendit të ushtrojë të gjithë kompetencën e saj dhe të japë një konkluzion bazuar në një ekspertizë të imët, në mënyrë që kjo çështje, e cila është një çështje kaq e ndjeshme me plot të drejtë dhe e cila ka prekur çdo qytetare dhe qytetar të këtij vendi, të trajtohet me dinjitetin e duhur dhe të mos kthehet në asnjë mënyrë në një burim për ta devijuar këtë debat kaq të rëndësishëm në një debat të rëndomtë të ushqyer me pasionet e panevojshme dhe për më tepër pastaj të instrumentalizuar në dëm të një marrëdhënieje, e cila për Shqipërinë është një marrëdhënie strategjike”, - tha Rama.
Ndërsa deputeti socialist, Taulant Balla, komentoi daljet e shpeshta publike të ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, për t’i kërkuar opozitës që të mos kundërshtojë marrëveshjen me Greqinë.
“Zëdhënësi i ri i Berishës, Ilir Meta, duket se s’ka detyrë tjetër veç të përgojojë opozitën duke folur kodra pas bregut.
Gjithsesi, ne jemi këtu për t’i thënë Ilir Metës se interesat kombëtare nuk mund t’i shesë po aq lehtë sa interesat e partisë së tij dhe Partia Socialiste do ta mbrojë deri në fund të drejtën e shkelur të të gjithë shqiptarëve, nga qeveria në përcaktimin e kufijve detarë të Shqipërisë”, - tha Balla.
Kurse Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, vlerëson se marrëveshja me Greqinë për kufijtë detarë është pakt politik, ndaj nuk ka nevojë për trajtimin juridik të saj.
“Qeveria nuk ka qenë në gjendje të na sqaronte se çfarë përfituam ne nga kjo marrëveshje, edhe pse ajo nuk ka probleme juridike”, - u shpreh Manjani.
Sipas tij, nëse çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo gjykatë, që Manjani e përcakton si të varur nga pushteti, jep vendim në favor të qeverisë, atëherë Partia Socialiste do të dorëzohej pa kushte.
Meta: Problemet e brendshme në PS nuk janë aq të rëndësishme sa raportet mes shteteve
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, iu përgjigj sërish dje pyetjes se si e shikon ai qëndrimin e opozitës ndaj marrëveshjes për ndarjen e kufijve ujorë me fqinjin jugor. Meta tha se e ftonte opozitën që të informohej në Ministrinë e Jashtme, por ajo i përgjigjej me protesta para ministrisë. Meta tha se problemet e brendshme të kësaj partie janë diçka krejt tjetër nga raportet mes shteteve.
“Është e drejtë e tyre të ndjekin rrugët që i gjykojnë më të përshtatshme. Unë ua kam thënë edhe më parë dhe përsëri më duhet të flas si ministër i Jashtëm, që janë të mirëpritur në Ministrinë e Jashtme, në çdo moment që të dëshirojnë që t’u ofrohet i gjithë informacioni i duhur për të gjykuar lidhur me domosdoshmërinë e kësaj marrëveshjeje.
Jam i sigurt njëkohësisht se janë të mirëpritur gjithnjë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes që të informohen në mënyrën më institucionale dhe më korrekte.
Se çfarë vendosin ata, është një çështje e tyre. Unë i ftoj të informohen në Ministrinë e Jashtme, ata që zgjedhin të bëjnë protestë para Ministrisë së Jashtme. Kjo është çështje e tyre, por këtu kemi të bëjmë me raporte shtetërore dhe kjo gjë natyrisht që kërkon një gjykim të pjekur, kërkon një rrugë institucionale larg interesave të ngushta politike. Problemet e brendshme janë tjetër gjë, ndërsa raporte të tilla janë shumë të rëndësishme dhe për këtë i ftoj të sillen më përgjegjësi, po është e drejtë e tyre”, - tha Meta.